30 Nëntor, 2019 - 12:30 pm
Në Gjela (Gela) të Sicilisë në Itali, gjatë punimeve në vendosjen e gypave të sistemit të gazsjellësit rastësisht u zbulua një varr, brenda të cilit ishte skeleti i një të ndjeri që në gojë kishte një monedhë, që sipas besimeve mitologjike të grekëve të lashtë ishte e destinuar për pagesë Karonit, i cili me barkën e vet i transportonte shpirtrat e të vdekurve nga bota e të gjallëve në botën nëntokësore Had, matanë lumenjve Akeron, Stiks dhe Kokit.
Monedha, që në mitologji njihet si “monedha apo oboli për Karonin” – e cila kishte qenë e vendosur në gojë të të ndjerit dhe ishte gjetur në brendi të kafkës (të thyer në këtë rast nga rënia e pjesëve të kapakut) – ende nuk është analizuar dhe datuar, por në të njëjtin vend është gjetur një pjesë enë prej argjile të ngjyrosur me ngjyrë të kuqërremtë që i përket periudhës helenistike, respektivisht shekullit IV p.e.s. që për momentin, bashkë me disa enë të vogla kozmetike për ruajtjen e parfumeve me cilësi të njëjta, janë elemente të vetme relevante në të cilat mund të mbështetet datimi i këtij zbulimi, meqë nuk është gjetur asnjë pajisje tjetër funerale me të cilat përcilleshin të ndjerët në varr.
Futja e monedhës në gojë të të ndjerit kishte pasur rol e domethënie të veçantë në mitologji greke, kështu që fill pas vdekjes, në kuadër të riteve përgatitore për varrim, kufomës i futej në gojë një monedhë e metaltë dhe i mbyllej goja para së të bllokohej mandibula, me qëllim që monedha të mos bjerë dhe të humbë gjatë varrimit e rrugëtimit drejt botës nëntokësore. Sipas besimeve mitologjike shpirti i të ndjerit shkonte nga kjo botë përmes lumit Akeron në mbretërinë e të vdekurve nën sundimin e hyjit Had.
Sipas besimeve të grekëve të lashtë, shpirtrat e të vdekurve matanë lumit i bartte me barkë demoni Karon, i cili për këtë shërbim kërkonte një pagesë simbolike, respektivisht një monedhë me vlerë të vogël (gr.obolos). Ai në mitologji paraqitej si plak i fortë me flokë të shprishura, mjekër të thinjur i veshur me lecka të ndyra dhe me kapele marinarësh në kokë. Me barkën e tij të ndryshkur ai i bartte shpirtrat e të vdekurve përtej lumenjve Akeron, Stiks e Kokit deri tek hyrja në Had, por ata që nuk ishin të varrosur me rite përkatëse dhe ata që nuk kishin monedhë për ta paguar udhëtimin, i linte pa mëshirë në breg të lumit duke pritur me shekuj të tërë. /Naser Ferri /KultPlus.com