Skiatorja e Tiranës rezultat historik në botërorin e skive, Veliaj: Lara Colturi na bëri krenar

26 Nëntor, 2023 - 2:00 pm

Skiatorja Lara Colturi, e cila përfaqëson Shqipërinë në Botëror, ka arritur një rezultat historik.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj uroi skiatoren shqiptare që bën pjesë dhe në Sport Klubin Tirana, për performancën e saj të jashtëzakonshme.

“Rezultat historik për Shqipërinë! Skiatorja shqiptare Lara Colturi, me performancën e saj të jashtëzakonshme, na bëri krenarë duke dalë e para në botë në raundin e dytë dhe e 12 në mesataren e dy kohëve, në Botërorin e skive! Spektakolare”, shkruan Veliaj.

Vitet e fundit, Klubi shumësportësh “Tirana”, po njeh një hov në cilësinë e sportistëve që garojnë në disiplina të ndryshme, të cilët kanë fituar trofe dhe tituj kombëtarë e ndërkombëtarë, si Luiza Gega, kampione e Europës në Atletikë, apo mundësi Zelimkhan Abakarov, kampion i Botës.

Mbështetja për sportin nga bashkia e Tiranës dhe Sport Klub Tirana, ka bërë që skuadrës t’i bashkohet edhe skiatorja e talentuar, Lara Colturi./ KultPlus.com

Të ngjajshme