Skitarët Kiana Kryeziu, Arba Pupovci dhe Drin Kokaj do të përfaqësojnë Kosovën në EYOF Vuokatti 2022

18 Mars, 2022 - 2:40 pm

Komiteti Olimpik i Kosovës ka prezantuar ekipin olimpik, që do të marrë pjesë në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror për të Rinj (EYOF) Vuokatti 2022. EYOF Vuokatti 2022 mbahet prej 20 deri më 25 mars 2022 në Vuokatti të Finlandës.

Ekipi olimpik përbëhet nga tre skitarët e skijimit alpin: Kiana Kryeziu, Arba Pupovci dhe Drin Kokaj, trajnerët Agim Pupovci e Bujar Turjaka, shefi i misionit, Jeton Rudari, dhe përgjegjësi për media, Kushtrim Krasniqi.

Në konferencën për shtyp, presidenti Ismet Krasniqi, ka deklaruar se KOK-u ka bërë të gjitha përgatitjet, derisa ekipin e ka dërguar edhe në përgatitje jashtë vendit.

“Pritshmëritë tona janë që sportistët të japin maksimumin dhe të kenë paraqitje sa më të mirë”, tha mes tjerash presidenti Krasniqi.

Kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi, njëherit nënpresident i KOK-ut, theksoi se pritshmëritë janë që të arrihen rezultate të mira edhe në EYOF.

Trajneri Agim Pupovci, foli për përgatitjet, derisa falënderoi KOK-un për mundësinë e dërgimit në përgatitje dyjavore në alpet e Austrisë, derisa theksoi se konkurrenca në EYOF është e madhe, pasi marrin pjesë sportistët më të mirë.

Optimist për përfaqësim sa më të mirë u shprehën edhe të tre skitarët, të cilët thanë se është nderë dhe kënaqësi që ju është dhënë mundësia të përfaqësojnë vendin tonë në këtë EYOF.

Skitarët do të garojnë në disiplinat e sllallomit dhe sllallomit paralel.

Ceremonia hapëse mbahet më 20 mars, kurse ekipi ynë udhëton sonte në relacionin, Prishtinë – Tiranë – Frankfurt dhe Vuokatti.

Për Kosovën është pjesëmarrja e tretë në EYOF Dimëror, pas përfaqësimit në Erzurum 2017 dhe Sarajeva 2019./ KultPlus.com

Të ngjajshme