1 Gusht, 2019 - 10:30 am
Shpërngulja e qindra e mijëra arbëreshëve drejt Kalabrisë është një kronikë e mirënjohur historike, por një skulptor nga Presheva që jeton në Shën Mitër nuk është një histori që dëgjohet shpesh.
“Unë nuk i kam shkuar lumit poshtë, por jam ngjitur përpjetë rrjedhës”, e ka përshkruar sagën e tij jetësore mjeshtri i skulpturave, Hevziu Nuhiu.
I lindur më 1956 në fshatin Ceravajkë të Preshevës, ai ka studiuar Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Akademinë e Shkupit. I vendosur në Itali qysh në vitin 1983, rrëfimi për Nuhiun përfshin miqësinë e tij të shtrenjtë me mjeshtrin Ibrahim Kodra, i cili do të bëhej pikë referente e krijimtarisë së tij artistike.
“Nuhiu e ka bërë përvojën e tij, e ka arritur një formë dhe paraqet një tipologji që buron nga një liri poetike e veçantë për t’u trajtuar, dhe shqyrtohet si një nxënës primar i Henry Mooreut”, kishte shkruar Kodra për skulptorin preshevar.
Ky rrugëtim jetësor me veçantitë e tij skulpturore është përmbledhur në librin monografik të shkrimtarit kalabrez, Giulio Palange “Hevzi Nuhiu”, i cili u promovua të mërkurën në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Në përurimin e organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës dhe Shoqata e Gazetarëve të Luginës “Etika”, njohës të letërsisë dhe artit kanë vlerësuar profilin artistik të Hevzi Nuhiut. /Koha ditore/ KultPlus.com