Sllovenia zgjedh presidenten e parë grua

14 Nëntor, 2022 - 2:48 pm

Sllovenia do të drejtohet për herë të parë nga një grua, ajo është avokatja Natasa Pirc Musar, e cila u zotua të garantojë të drejtat kushtetuese dhe demokracinë.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve që u mbajtën të dielën, nxorën fituese të raundit të dytë avokaten Natasa Pirc Musar.

Pirc Musar, 54 vjeçe, fitoi 53.86 për qind të votave në balotazh, ndërsa rivali e saj, politikani i krahut të djathtë dhe ish-ministri i Jashtëm, Andze Logar, fitoi 46,14 për qind, sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor.

49.9 për qind e zgjedhësve morën pjesë në këto votime. Në fjalimin e saj të parë, ku shpalli edhe fitoren, avokatja Natasa Pirc Musar tha se do të bëjë çmos që të jetë një presidente për të gjithë, duke punuar për garantimin e të drejtave kushtetuese të njerëzve dhe forcimin e demokracisë.

Pirc Musar, një ish-prezantuese televizive, që u bë më pas një avokate me ndikim të fortë, bëri fushatë për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe çështjet e mirëqenies sociale.

Në fjalimin e saj para votimeve ajo trajtoi edhe problemin e ndryshimeve klimatike. Megjithëse roli është kryesisht ceremonial, presidenti në Slloveni është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe gjithashtu emëron disa zyrtarë të lartë, duke përfshirë guvernatorin e Bankës Qendrore. Shumica e zgjedhjeve të Presidentit kërkojnë edhe konfirmim nga Parlamenti./ KultPlus.com

Të ngjajshme