13 Janar, 2025 - 12:30 pm
Për herë të parë, në Pukë, do të organizohet Festivali i Dëborës (Snow Festival).
Festa do të organizohet nga Bashkia Pukë dhe organizata Tirana Ekspres, përgjatë tri ditëve, 17, 18 dhe 19 janar dhe do të ketë si protagonistë disa nga emrat më në zë të këngëtarëve të preferuar nga të rinjtë.
Ky do të jetë festivali i parë dhe i vetëm i këtij lloji në Shqipëri, që sjell një kombinim unik të aktiviteteve dimërore, artit, kulturës dhe aventurës në një nga zonat më të bukura dhe autentike të vendit.
Festivali ofron një program të pasur me aktivitete që i përshtaten të gjitha moshave dhe preferencave, duke përfshirë: paintball në borë, ekskursione në shtigjet e bardha, me guida profesionale, mbrëmje poetike, konkurs fotografie, koncerte, panaire artizanati si dhe kulinarie, duke prezantuar shijen e vërtetë të produkteve pukjane.
Puka n’Fest, si projekt pionier, synon të pozicionojë Pukën si një destinacion të rëndësishëm turistik, duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe social të zonës, por edhe si një mundësi për të përjetuar natyrën në formën e saj më të pastër./atsh/KultPlus.com