6 Tetor, 2024 - 10:00 pm
“Sofra Pukjane” është një prej eventeve më të veçanta për qytetin verior, jo vetëm për të shpalosur trashëgiminë kulturore dhe historike, por edhe për të promovuar dhe mbështetur akoma më shumë zhvillimin e saj.
Edicioni i 16-të i “Sofrës Pukjane” organizuar nga kryetari Tonin Alia (Mjeshtër i Madh) në bashkëpunim me Bashkinë e Pukës, Bashkinë e Fushë-Arrëzit bëri bashkë këtë fundjavë në qytetin e Pukës, intelektualë, politikanë, biznesmenë, artistë dhe qytetarë të shumtë të ardhur edhe nga qytete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit ku jetojnë dhe punojnë tashmë prej disa vitesh.
Panairi i përvitshëm i produkteve bujqësore dhe blegtorale Agro-Fest organizuar në sheshin kryesor, i parapriu kësaj ngjarjeje festive për pukjanët ku u promovuan produktet bio të fermerëve si dhe punimet artizanale të vajzave dhe grave të kësaj zone.
Puka mbart pasuri të shumta natyrore dhe vitet e fundit është kthyer në një destinacion të vërtetë turistik falë edhe investimeve të pushtetit qendror dhe vendor, por për komunitetin e biznesit pukjan për Pukën mund të bëhet akoma më shumë.
Kryetari i “Sofrës Pukjane”, Tonin Alia thekson se ky event ka për qëllim zhvillimin më tej të vendlindjes së tyre dhe si një ftesë për të gjithë ata që janë larguar të mund të rikthehen për të investuar në turizëm nëpërmjet ringritjes së kullave të trashëguara nga të parët dhe ndërtimin e bujtinave.
“Qëllimi i Sofrës Pukjane është bashkimi i biznesmenëve pukjanë në harmoni me njëri-tjetrin duke grumbulluar disa kontribute dhe për të ndihmuar Pukën dhe pukjanët. Ne po arrijmë në një fazë që të mundësojmë që njerëzit të kthehen këtu. Kanë filluar ndërtimet e shtëpive turistike, lokaleve dhe shumë veprave që nxisin njerëzit të kthehen dhe të kalojnë një turizëm një ditor e deri një javor”, thekson Alia.
Përfaqësuesit e “Sofrës Pukjane të cilët kanë si qëllim forcimin e harmonisë midis biznesmenëve, intelektualëve dhe qytetarëve të Pukës dhe zonave për rreth për nxitjen e biznesit vendas u takuan edhe me kryetari i Bashkisë Pukë Rrok Dodaj ku shprehën angazhimin për të vijuar investimet në agroturizëm.
Kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj është shprehur se do të krijojnë mundësi duke i hapur dyert për të gjithë për t’u rikthyer dhe investuar në vendlindjen e tyre. “Duke u krijuar kushtet do të afrojmë biznesin privat me qëllim që ai të jetë një themel i fortë për zhvillimin ekonomik të Pukës”, ka nënvizuar Dodaj.
Programi i pasur artistiko-kulturor i Sofrës Pukjanë”, mbajtur në Pallatin e Kulturës “Ndue Shyti” përcolli emocione te të pranishmit ku u shpalosën këngë dhe valle tradicionale të rrethit nën interpretimin jo vetëm të këngëtarëve me emër të Pukës, por edhe të brezit të ri të cilët po e trashëgojnë brez pas brezi këtë pasuri kulturore dhe historike që Puka mbart./atsh/ KultPlus.com