6 Mars, 2023 - 2:36 pm
Abigeila Voshtina, drejtore e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, uroi dy artistët shqiptarë që fituan në edicionin e 77-të të konkursit “Comunita Europea” në Itali.
Baritoni Artur Vera dhe sopranoja Suada Gjergji u shpallën fitues të konkursit, mes 100 të rinjve nga e gjithë Europa.
“Krenare të shoh se si të rinjtë, të cilët kanë spikatur në TKOB, lartësojnë anekënd, në mënyrë dinjitoze, vlerat tona kombëtare kulturore dhe promovojnë potencialin e tyre në zhanre të ndryshme muzikorë”, shkroi Abigeila Voshtina, në rrjetet sociale.
Konkursi u zhvillua në Teatro Nuovo Gian Carlo Menotti, në Spoleto dhe artistët shqiptarë u renditën mes 10 emrave fitues. Presidente e këtij konkursi ishte sopranoja e mirënjohur Katia Ricciarelli.
Artur Vera dhe Suada Gjergji janë solistë të TKOB. Në fillim të 2023, ishte një tjetër artist i TKOB që u shpall fituesi i një konkursi europian për këngëtarët e rinj lirikë operistikë. Ai është Xhieldo Hyseni, i cili e fitoi konkursin me rolin e Sarastro-s në operën “Flauti magjik” nga Mozart. / atsh / KultPlus.com