3 Maj, 2024 - 9:04 am
Ekzistojnë ende disa vende ku ju mund të shkoni me pushime në plazh sa herë të doni gjatë gjithë verës me çmime të përballueshme, shkruan Antonio Pilato në një artikull të botuar në revistën italiane “Solo Finanza”.
Vera po afron dhe për ata që nuk kanë planifikuar ende asgjë, ne rekomandojmë të zgjidhni dhe eksploroni Shqipërinë.
Pa shpenzuar shumë para ju mund të pushoni në breg të detit dhe të shijoni çdo lloj rehatie.
Kjo është një mundësi ‘e bujshme’ e zbuluar nga portali i njohur (pirateinviaggio.it) i cili ditët e fundit ka ndarë me ndjekësit e tij destinacionet më të mira për vitin 2024, që nuk duhen humbur.
Shqipëria, një nga destinacionet në trend – edhe verën e kaluar – ofron për udhëtarët diell, det të kristaltë, plazhe që të lënë pa frymë dhe shumë shërbime të tjera me kosto dukshëm më të ulëta se ato që ofrohen në Itali.
Saranda, një qytet i bukur bregdetar ofron hotele (me tre yje) ku mund të akomodoheni si “zotërinj të vërtetë”.
Akomodohuni në hotelin “Vila Era Beach” për vetëm 20 euro nata.
Hoteli është, praktikisht në plazh dhe gjithashtu në paketë përfshihet vakti i mëngjesit.
Vendndodhja mbetet padyshim ‘një pikë e fortë’, por edhe dhomat kanë hijeshinë e tyre.
Ato janë të mëdha, komode dhe ideale si për çifte ashtu edhe për grupe turistësh.
Disa nga hotelet, gjithashtu kanë një kopsht ose një tarracë të vogël.
Koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë është fundi i majit deri në fund të shtatorit.
Tashmë turistët italianë dhe jo vetëm kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin ideal për t’u çlodhur buzë detit falë çmimeve të saj të përballueshme./atsh/KultPlus.com