4 Shtator, 2024 - 1:01 pm
Shfaqja “Karnavalet e Korçës” me regji nga Erion Isai si dhe ndarja e çmimeve, do të kurorëzojnë sonte edicionin e 11-të të festivalit teatror Koko Fest.
Koko Fest priti në Korçë që prej 28 gushtit, trupa teatrore nga Vlora, Kosova, Greqia, Durrësi, Tirana, Shkodra e patjetër që pjesë e tij ishte edhe Teatri “Çajupi” i Korçës. Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë u çel me veprën “Vassa Zheleznova” me regji të Enke Fezollarit dhe interpretimin e trupës së teatrit “Andon Zako Çajupi” dhe do të mbyllet sonte me interpretimin e po të njëjtës trupë aktorësh.
Komeditë e vëna në skenë në këtë edicion të 11-të ishin: “Natën e mirë me burrin tim”, “Club Albania”, “Marika më thonë-Marika më quajnë”, “10 vjet martesë”, “Vassa Zheleznova”, “Testamenti”, “Krimi është vetëm i imi”, si dhe “Karnavalet e Korçës”.
Teatri Kombëtar u prezantua në këtë festival me “Testamentin” e Leka Bungos, nën interpretimin e aktorit të madh Viktor Zhustit.
Për rreth 60 minuta para publikut kalon historia e Shqipërisë nga viti 1941 kur u krijua Partia Komuniste e deri në ditët tona, një paralelizëm mes asaj se çfarë ndryshoi dhe çfarë jo. Komunisti Kuqo, lë një testament dhe rrëfen kohën që prej fillimit të krijimit të Partisë Komuniste dhe gati deri në ditët e sotme. I vetëm në skenë, me një monolog që zgjat për rreth një orë, Kuqon e shoqëron sarkazma e cila është karakteristikë e veprave të Leka Bungos./atsh/KultPlus.com