Sot, Dita Botërore e Zemrës

29 Shtator, 2024 - 10:30 pm

Me moton “Vepro! Me zemër për zemër!”, kjo ditë ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e popullatës mbi faktorët që kontribuojnë në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, si dhe për rëndësinë e masave parandaluese që mund të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e këtyre sëmundjeve.

Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën, me rreth 20.5 milionë jetë të humbura çdo vit, duke përfaqësuar rreth 1/3 e vdekjeve globale dhe 85% e këtyre vdekjeve shkaktohen nga ataku dhe goditja në zemër.

Ndonëse janë të parandalueshme, ato prekin një gamë të gjerë moshash dhe grupesh sociale. Me ndryshime të vogla në stilin e jetesës, përfshirë ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik dhe menaxhimin e stresit, ne mund të mbrojmë zemrën dhe të parandalojmë këto sëmundje.

Instituti i Shëndetit Publik informon se në periudhën 2024-2026 do të organizojë fushatë nën temën “Përdoreni Zemrën për të Vepruar”, duke mbështetur individët që të kujdesen për zemrën e tyre.

Kontrolli i rregullt i faktorëve të rrezikut dhe monitorimi i tensionit tuaj arterial, mund të zvogëlojë rrezikun për të patur SKV.

Niveli i lartë i glukozës (sheqerit) në gjak mund të jenë tregues për diabet. Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) janë shkaktarët e numrit më të madh të vdekjeve tek të sëmurët me diabet. Prandaj, nëse diabeti nuk diagnostikohet apo nuk nuk trajtohet, ai mund t’ju vendosë në një rrezik të lartë për sëmundje të zemrës ose goditje në tru.

Nivelet e larta të sheqerit mund të prekin muret e arterieve duke nxitur zhvillimin e pllakave yndyrore në to. Njerëzit që janë me diabet janë më të rrezikuar për të patur atak në zemër, goditje në tru apo sëmunjde të tjera të sistemit të qarkullimit. Femrat me diabet e kanë dyfish rrezikun për të patur SKV sesa femrat që nuk e kanë.

Instituti i Shëndetit Publik rekomandon që nëse ju keni diabet është shumë e rëndësishme që të kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak, presionin arterial dhe kolesterolin. Kjo do t’ju ndihmojë që të mbani të ulur rrezikun për të patur SKV.

Një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar mirë, sugjeron ISHP, mund të ulë rrezikun tuaj për të patur SKV pasi:

  • Ul nivelin e kolesterolit;
  • Ul presionin arterial;
  • Mban një peshë të shëndetshme.

ISHP jep disa rekomandime:

– Mos pini pije me sheqer dhe lëngje frutash të konservuara; pini ujë ose lëngje frutash të freskëta.

– Përpiquni të konsumoni 5 racione me fruta dhe zarzavate në ditë; ato mund të jenë të freskëta, të ngrira, të konservuara ose të thata.

– Zëvendësoni ëmbëlsirat dhe produktet e përpunuara me sheqer me fruta të freskëta, si një alternativë e shëndetshme.

– Konsumoni alkool sipas rekomandimeve.

– Përpiquni të kufizoni ushqimet e përpunuara dhe të paketuara, të cilat shpesh përmbajnë sasi të larta kripe, sheqeri dhe yndyre.

– Përgatisni vetë ushqim të shëndetshëm për fëmijët në shkollë apo për veten tuaj në punë./ KultPlus.com

Të ngjajshme