Sot, Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve

12 Qershor, 2023 - 12:16 pm

Sot është Dita Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, e cila synon të shërbejë si një katalizator për lëvizjen mbarëbotërore kundër punës së fëmijëve. Duke theksuar lidhjen midis drejtësisë sociale dhe punës së fëmijëve, slogani i këtij viti është: “Drejtësi Sociale për të Gjithë. Fund punës së fëmijëve!”.

Kombet e Bashkuara thonë se përvoja në trajtimin e punës së fëmijëve gjatë tri dekadave të fundit ka treguar se puna e fëmijëve mund të eliminohet, nëse adresohen shkaqet kryesore. Më shumë se kurrë është urgjente që të gjithë të kontribuojnë për të sjellë zgjidhje për problemet e përditshme të njerëzve dhe puna e fëmijëve është, ndoshta më e dukshme nga këto probleme.

Prandaj, OKB e konsideron Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve 2023 si një moment që të gjithë ne të përkushtohemi për t’i dhënë fund punës së fëmijëve për të treguar se ndryshimi mund të arrihet kur vullneti dhe vendosmëria bashkohen.

Sot janë rreth 160 milionë fëmijë që punojnë. Thënë ndryshe 1 në 10 fëmijë është i detyruar të punojë. Vendin e parë në rang global e mban Afrika, ndjekur nga Azia e vendet e Paqësorit./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme