Sot, Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës

2 Tetor, 2024 - 9:31 am

Dita Ndërkombëtare Kundër Dhunës, është përcaktuar në 2 Tetor të çdo viti, pasi ajo datë është ditëlindja e Mahatma Gandhi, udhëheqës i lëvizjes për pavarësi në Indi dhe pionier i filozofisë dhe strategjisë së “Jo-dhunës!”.

Gandi përdorte metoda civile, paqësore, për t’i mbijetuar pushtimit britanik. Pavarësisht se ka qenë në burg disa herë, asgjë nuk e nxiti atë të heqë dorë nga format paqësore, të cilat rezultuan në pavarësinë e Indisë. Gjithashtu, Gandi ka nxitur krijimin e marrëdhënieve të shëndetshme ndërmjet njerëzve të feve dhe etnive të ndryshme, duke respektuar të drejtat e grave dhe reduktuar varfërinë.

Rezoluta A/RES/61/271 e 15 qershorit 2007, vendosi ta caktojë këtë ditë si një rast për të përforcuar mesazhet kundër dhunës, duke përfshirë edukimin dhe ndërgjegjësimin publik. Kjo rezolutë, riafirmon “rëndësinë universale të parimeve kundër dhunës dhe dëshirën për të siguruar kulturën e paqes, tolerancës, të të kuptuarit dhe jodhunës”.

Kjo ka vlerë edhe për kundërshtarët tanë, për armiqtë, ku gjuha e arsyes, e gjetjes së pikave të përbashkëta të interesit mund të sigurojë kulturën e dialogut dhe përmbushjen e qëllimeve.

Dhuna fizike, për fat të keq, ende përdoret për arritjen e shumë qëllimeve, si në planin individual dhe atë social apo politik.

Në këtë ditë promovohet që, transformimi social ose politik mund të arrihet pa përdorimin e ndonjë lloj dhune. Studiuesit e kanë quajtur teorinë e “Jo-dhunës!” si “politika e njerëzve të rregullt”, të cilët nuk kanë qasje në instrumentet e dhunës, përfshirë edhe armët.

Në fakt dhuna, ka pasojë dhunën. Kjo shpesh kthehet në një rreth vicioz që nuk mbaron kurrë.

Zakonisht “Jo-dhuna” është përdorur gjerësisht në të gjithë botën si një mënyrë për të përmbushur kauza madhore apo për të arritur drejtësi sociale; është sinonim me pacifizmin që beson në arsyen e shëndoshë të njerëzve të civilizuar në zgjidhjen e konflikteve dhe që po aplikohet gjerësisht që pas gjysmës së dytë të shekullit të 20-të.

Ndonjëherë mbrojtësit e vijës së ashpër (revolucionarët) e shikojnë Jo-dhunën si dobësi. Nuk është e vërtetë. Bazuar në fakte, është ekzaktësisht e kundërta. Ajo kërkon kurajo dhe forcë, sensibilizim dhe pjesëmarrje aktive.

Është shumë e rëndësishme që në familje dhe institucione të edukimit (formimit të personalitetit), të promovohet kultura e tolerancës, e Jo-dhunës, veçanërisht për fëmijët dhe adoleshentët.

Duhet rrënjosur bindja se dhuna nuk duhet të tolerohet nga askush, pavarësisht moshës, sfondit (rrethanave) apo problemeve. Kjo ka vlerë të përhershme, si në kohë krizash (lufte) apo paqeje.

Shoqëria civile, por edhe media mund të luajnë një rol të dobishëm në këtë drejtim.

Toleranca ka nevojë për motivim dhe durim, për vetëkontroll dhe synon të promovojë qasje dhe shanse të barabarta.

Koncepti i Jo-dhunës do të jetë i largët përsa kohë priremi nga individualizmi agresiv (egoja e sëmurë) ku ambicia pozitive për të arritur perfeksionimin shndërrohet në një betejë të paprinciptë, prish raportet e bashkëjetesës brenda grupit, parimet “marr” dhe “jap”, komponenten sociale të kompromisit dhe mirëqenies.

Pavarësisht ndryshimeve, unicitetit të qenieve që përfaqësojmë është e rëndësishme që të gjithë shoqërinë ta konsiderojmë si një familje të madhe dhe të kujdesemi sistematikisht për njëri -tjetrin.

“Nëse dikush ka nxjerrë në pah anën tënde të dhunshme, atëherë ai di si të të manipulojë. E vetmja gjë që nuk mund të manipulohet është paqja dhe qetësia”- John Lennon

“Ne nuk kemi nevojë për armë që të sjellim paqen. Kemi nevojë për dashuri e dhembshuri”-Nënë Tereza

“Mungesa e dhunës çon në etikën më të lartë, e cila përbën edhe qëllimin e të gjithë evolucionit. Përderisa të ndalohet së dëmtuari qeniet e tjera, njerëzit janë thjeshtë egërsira” Thomas Edison

 “Paqja e qetësia është më efektive se dhuna”

“Dhuna krijon probleme me ligjin e me gjerë. Paqja zgjidh probleme”. / KultPlus.com

Të ngjajshme