2 Shkurt, 2020 - 1:30 pm
Sot është një ngjarje shumë e veçantë – data e sotme është palindrome, që do të thotë se lexohet njëjtë si përpara ashtu edhe prapa.
Është 2 shkurti i vitit 2020, apo 02/02/2020, si në formatin DD/MM/VVVV, ashtu edhe në formatin tjetër MM/DD/VVVV. Ndërsa, në orën 2 të mëngjesin madje ka qenë 02:02:20 më 02/02/2020, raporton CNN.
Kjo është hera e vetme kur një datë e këtillë ndodh në këtë shekull.
Data e fundit palindrome para kësaj ka qenë para 909 vjetësh më 11/11/1111. E radhës do të vijë pas 101 vjetësh, më 12/12/2121 dhe pas kësaj nuk do të ketë më deri më datën 03/03/3030, transmeton Koha.net.
Departamenti i Matematikës në Shkollën Solihull shkroi në Twitter: “Sot është një Ditë Palindrome në të gjitha formatet e datës (Britani, SHBA, ISO). Është po ashtu edhe dita palindrome e vitit (33) e po ashtu ka edhe numër palindrome të ditëve të mbetura në këtë vit (333). Një ditë mjaftë e veçantë”.
Kjo datë është lënë për t’u shfrytëzuar nga shumë çifte të reja që dëshirojnë që kjo ditë të mbahet mend për simbolikën e datës palindrome.
Edhe data 11 nëntor, 2011, zgjoi kureshtje të madhe nëpër botë. Kur ora shënoi 11:11:11 më 11/11/11. Ishte e vetmja datë palindrome dyshifrore dhe s’do të përsëritet për 100 vjet, më 2111.
Megjithatë, nuk është po aq e përkryer sa 02/02/2020, sepse të shkruar vitin e plotë, 2011, shkatërron simetrinë.
Truri i njeriut në mënyrë të natyrshme kërkon mostra, dhe shumë njerëz i konsiderojnë datat e këtilla me fat. Daniel Hardt, president i Qendrës së Numerologjisë “Life Path” në Indianapolis, e quajti këtë “një ditë të fuqishme”.
Në muajin shtator, pati një javë të datave palindrome në formatin amerikan, nëse e hiqnit numrin 20 nga viti. Ishte 9-10-19, 9-11-19 e kështu me radhë, deri tek 9/19/19. Por natyrisht, këto funksiononin vetëm me formatin amerikan të datës MM/DD/VVVV.
Palindroma është çdo fjalë, frazë apo rend që lexohet njëjtë ngado që e lexoni, para apo prapa.
Palindrome vjen nga fjalët greke “palin”, që do të thotë “sërish, prapa” dhe “droms”, që do të thotë “vrapim”, sipas Dictionary.com. / KultPlus.com