15 Korrik, 2024 - 6:22 pm
Sot fillon Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar `Anibar 2024`. ‘Anibar 2024’ vjen me një program të pasur që do të mbajë të mbërthyer të gjithë adhuruesit e animacionit dhe artit multimedial.
“Ky festival, që është bërë një nga ngjarjet më të pritura kulturore në Kosovë, do të mbahet nga data 15 deri më 21 korrik 2024 në Pejë. Me një përzierje të veçantë të filmave animuar, punëtorive kreative, diskutimeve panelore dhe aktiviteteve të shumta, Anibar synon të frymëzojë dhe të angazhojë publikun duke ofruar një platformë për artistët dhe krijuesit nga e gjithë bota?”, thuhet në komunikatën e Festivalit.
Festivali do të fillojë me një ceremoni madhështore hapëse në Kinemanë e Liqenit më 15 korrik, e ndjekur nga një festë e madhe me performancat e DJ SugarFree, SHEGA dhe ODA HALITI.
Gjatë javës, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të marrin pjesë në një sërë punëtorish dhe seancash interaktive, të udhëhequra nga artistë dhe profesionistë të njohur, duke përfshirë video-maping, krijimin e fanzineve komike, animacionin e prerjeve prej letre, dhe teknikat e avancuara të bërjes së kukullave dhe stop-motion.
“Programi gjithashtu përfshin konkurrenca për audiencën e re, programe të veçanta filmash, diskutime për të drejtat e njeriut dhe projekte bashkëpunimi ndërkombëtar. Për adhuruesit e realitetit virtual, do të ketë një program të veçantë në Galerinë e Arteve që do të zgjasë gjatë gjithë ditës. Mbrëmjet do të jenë të rezervuara për shfaqje ndërkombëtare dhe studentore, ndërsa pas mesnate, festivalistët do të kenë mundësinë të shijojnë pas-festët me muzikë të larmishme dhe performanca të drejtpërdrejta”, thuhet në komunikatën e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar ‘Anibar’.