10 Maj, 2022 - 10:00 am
Sot fillon edicioni i 6-të i “Prishtina International Theater Festival”, i vetmi festival i këtij lloji dhe me karakter garues e ndërkombëtarë, që organizohet në Kosovë.
Edicioni i 6-të i festivalit “Pitf 2022” do të mbahet nga 10 maj duke filluar nga ora 20:00 me hapjen solemne dhe do të vazhdoj deri më 16 Maj, në Kolegjin AAB në Prishtinë.
Organizatorët e festivalit kanë bërë të ditur se dita e parë e hapjes së festivalit,” Prishtina International Theater Festival”, këtë herë bëhet me pjesëmarrjen e Spanjës, i cili vend merr pjesë për herë të parë me shfaqje në këtë festival.
Më pas vazhdohet me shfaqje nga Maqedonia e veriut, nga Italia, Mali i Zi dhe gjithashtu edhe me dy shfaqje nga Kosova. Shfaqja “I Left”, e para shfaqje garuese nga Spanja, do të jepet në ora 20:30 në Teatrin AAB “Faruk Begolli”.
Festivali ka karakter garues dhe përbëhet nga një juri profesionale si dhe dy juri të veçanta të studentëve dhe të medias. Festivali “Pitf 2022” shpërblen aktorin/aktoren më të mirë si dhe ndan Çmimin për shfaqjen më të mirë, ndërsa nuk ka kufizim të zhanrit.
Qëllimi i festivalit është të prezantojë projektet teatrore me cilësi të lartë nga e gjithë bota dhe të shkëmbejë mendime, ide, plane dhe përvoja, si dhe bashkëpunimet e ardhshme në shkëmbimin e projekteve. / KultPlus.com