Sot hapet ekspozita “Prishtina në vitet e 90-ta” nga artisti Afrim Hajrullahu

18 Prill, 2023 - 12:04 pm

Në Muzeun Kombëtar të Kosovës, sot me fillim nga ora 18:00, do të hapet ekspozita me fotografi, ekspozitë kjo që shpërfaq jetën në Prishtinën e viteve të 90-ta.

Mbi ekspozitën:

David Gothard CBE
Poezi Virtuale

Si një shuplakë seksi në faqe, Afrim Hajrullahu na demonstron në vitet nëntëdhjetë, një dekadë lumturie dhe ripërtëritjeje. Janë të nëntëdhjetat e prapështa si për artistin ashtu edhe për pjesëmarrësit e subjektit, pavarësisht nëse e dinë apo jo. Megjithatë, ato janë vëzhgimet e një dadaisti Kosovar me vetë objektet që na befasojnë dhe provokojnë mister dhe argëtim. Mbi të gjitha, ata janë njerëzit e përditshëm të rrugëve. Ata janë të njohur, ama kur kapen në perceptimin tonë janë, po ashtu, edhe një arratisje. Fotografi na jep shenjë, ne spiunojmë dhe qeshim me zë të lartë.

Ashtu si në referencën e Tennessee Williamsit për „mirësinë e të huajve”, ai përqafim është gjithashtu një botë vizuale e befasisë dhe pjesërisht e voajerizmit. Është një botë ku artisti e njeh veten në detajet e turmës, ndarjen nga turma dhe vetë rruga. Në të ka shaka dhe ka sekrete. Para së gjithash, ata janë kosovarë që mund të njihen, pjesërisht pastoral në ato rrugë të atij kopshti me bukurinë shpeshherë urbane të atij vendi. Gjithçka perceptohet në befasi, aty nuk pozohet e më pas shpërndahet nga zgjuarsia e qetë e artistit.
Afrimin e njihja si një dritare për Parisin, shtëpi e fotografisë së madhe dhe traditës humaniste, por me vitet nëntëdhjetë bëhet e qartë se ai radhitet me artistët e Pragës dhe Krakovës, me fotografët dhe poetët e mëdhenj çekë dhe polakë. Vitet e nëntëdhjeta janë të tijat ato që lulëzojnë e festojnë, bile edhe si flaneur, si endacak në intimitetin dhe batutat e rrugëve të qytetit. Kjo është poezia virtuale.

Nick Danziger
Kronist i Jetës së Përditshme

Afrim Hajrullahu ka shumë shigjeta për harkun e tij: ai është një artist që tregon në inkuadrimin e punës së tij dhe në aftësinë e tij për të kapur çastin, ai është kronist i jetës së përditshme dhe na çon në një udhëtim nëpër vitet ’90 të tokës së tij të dashur, dhe ai është humanist që jo vetëm po përpiqet të kuptojë botën përmes imazheve të tij, por duke punuar me Afrimin, e kam parë se ai i trajton me ngrohtësi, mirëkuptim dhe respekt ata që e rrethojnë.

Ne kemi nevojë për më shumë fotografë si Afrimi, të cilët janë të përkushtuar për të dokumentuar jo vetëm mundimet, por edhe gëzimet e njerëzve që bëjnë jetën e tyre të përditshme. Arti i tij ka qenë që t’i përkushtojë emulsionit të ndjeshëm të dritës shumë aspekte të Kosovës për pasardhësit. Afrimi jo vetëm që na çon në një udhëtim, por na ofron patos të një kohe dhe një vendi që do të farkëtohet në mendjen tuaj sapo të shihni këto imazhe.

Ekspozita vjen e mbështetur nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Të ngjajshme