5 Qershor, 2023 - 9:05 am
Sot zyrtarisht do të bëhet parada për hapjen e Javës së Krenarisë.
Të pranishëm në Hapjen Zyrtare do të jenë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Të pranishëm gjithashtu do të jenë edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffery Hovenier, Ambasadori i Suedisë, Jonas Westerlund si dhe Frank Power, Drejtor i zyrës së Këshillit të Evropës.
”Përmes slloganit “T’du qashtu qysh je” në këtë edicion ata do të përçojnë një mesazh mbështetës për të gjithë që janë duke u përballur me sfidat e stresit, ankthit, dhe depresionit që janë pasojë direkte e homofobisë dhe transfobisë sistematike nga shteti, shoqëria, dhe familja. Me “T’du qashtu qysh je” duam t’ua rikujtojmë të gjithëve se nuk janë të vetëm. Dashuria, pranimi dhe ndërtimi i hapësirave të sigurta, përveç ndihmës profesionale është më se e nevojshme, për të mos thënë thelbësore, për parandalimin dhe kalimin e sfidave të shëndetit mendor.
Mirëqenia psikologjike dhe emocionale e personave LGBTQI+ duhet të jetë prioritet i institucioneve dhe politikbërjes tonë. Kjo Javë e Krenarisë na rikujton që jetët e personave LGBTQI+ janë të rëndësishme.” thuhet në njoftimin e Prishtina Pride. / KultPlus.com