Sot i jepet lamtumira Moikom Zeqos

20 Qershor, 2020 - 10:17 am

Zeqo u shua 5 ditë më parë pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë, leucemi akute, ndërsa sot do të përcillet në banesën e fundit.

Sot nga ora 10.00-13.00 sipas rregullave të COVID-it do të zhvillohen homazhet në nderim të poliedrikut Moikom Zeqo në Muzeun Historik Kombëtar. Homazhet po bëhen tek atriumi jashtë Muzeut Historik Kombëtar, ku është vendosur fotografia e tij, ku njerëzit kanë vendosur sjellin kurora me lule dhe dy tablo.

Të pranishëm familjarët, bashkëshortja, Lida dhe tre fëmijët, dy vajzat dhe djali.

Sipas familjarëve, homazhet te Muzeu Historik ka qenë edhe amaneti i eruditit, i cili ka kontribuuar, si drejtor i këtij institucioni për 8 vite radhazi, 1997-2005. Zeqo u shua 5 ditë më parë pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë, leucemi akute, ndërsa sot do të përcillet në banesën e fundit. E megjithatë, kontributi i tij mbetet i paçmuar në letërsi, politikë, publicistikë, filozofi, arkeologji edhe pikturë.

Nga miqtë edhe kolegët Moikom Zeqo cilësohet, si një ndër intelektualët e paktë, që ia kushtoi jetën krijimtarisë, familjes, por mbi të gjitha emancipimit të politikës edhe shoqërisë shqiptare. Gjatë viteve të fundit, ndonëse u shkëput plotësisht institucionet shtetërore, ai nuk hezitoi kurrë së qeni një zë kritik për çështje të rëndësishme për vendin, qoftë politike, të trashëgimisë kulturore edhe shumë fusha të tjera.

Moikom Zeqo u lind në qytetin e Durrësit. Kreu studimet e larta për Gjuhë Letërsi në Tiranë. Në vitin 1973 kritikohet për hermetizëm në krijimtarinë e tij poetike, edhe e dërguan mësues në Rrogozhinë. Pas kësaj, Zeqo angazhohet në fushën e arkeologjisë, ku thellon edhe më shumë dijet, të cilat do t’i shërbenin edhe në krijimtarinë e tij letrare, duke u konsideruar sot si një ndër poetët e paktë elitarë, që vendi ynë ka nxjerrë.

Në fillim të viteve ’90, Zeqo merr pjesë përkrah Dritëro Agollit në rithemelimin e Partisë Socialiste, më tej u emërua ministër Kulture, ndërsa nga viti 1992-’97 ishte pjesë e Kuvendit Shqiptar, si deputet i PS-së. Moikom Zeqo mbante titujt “Mjeshtër i madh” edhe “Gjergj Kastëriot Skënderbeu” /shqiptarja/ KultPlus.com

Të ngjajshme