28 Maj, 2021 - 8:54 am
Mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta sot do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë. Testi do t’i ketë 100 pyetje nga lëndët gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë dhe pyetje nga shkencat shoqërore dhe ato natyrore.
Këtë herë nuk do të jetë kriter kalimi por që pikët e mbledhura do t’iu shërbejnë nxënësve që të orientohen për në shkollimin e mesëm.
Testi i arritshmërisë do të mbahet në 155 qendra testimi në nivel vendi, e ku për monitorimin e mbarëvajtjes së këtij testi do të jenë të angazhuar mbi 2 mijë administratorë.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka treguar se rezultatet e testit të arritshmërisë pritet të shpallen me 7 qershor.
Për shkak të pandemisë COVID-19 , forma e organizimit të sistemimit të nxënësve në klasë, duhet të realizohet një nxënës në një bankë kurse në çdo klasë do të lejohen vetëm nga 15 nxënës.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka kërkuar që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MASHTI.
Shefi i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, Inovacionit, Fatmir Elezi ditë më parë në një intervistë për KosovaPress ka treguar se përjashtimi nga testimi është ndëshkimi për nxënësit që do të kapen duke përdorur telefonin brenda qendrës së testimit dhe për çka theksoi se do të jenë të pakompromis ndaj atyre që thyejnë rregullat e procesit të testimit.
Testi i arrtishmërisë ka qenë i paraparë të mbahet me 21 maj, por që shtyrja e mbarimit të vitit shkollor ka bërë që të shtyhet edhe mbajtja e këtij testi. / Gazeta Express / KultPlus.com