27 Korrik, 2020 - 11:42 am
Gruaja lehonë në Kamenicë qenka vrarë nga burri me shufër metalike. I paska lënë tre (3) fëmijë, të madhin pesë (5) vjeç e të voglin një (1) muajsh!
Kësaj gruaje iu shkel e drejta për jetë!
Pse?!
Ligjet ekzistuese nuk janë mjaftueshëm të ashpra ndaj ushtruesit të dhunës;
Shteti nuk ka mjete monetare për të mbështetur e strehuar viktimën e dhunës;
Raportimet e dhunës nga gruaja nuk merren seriozisht nga organet gjegjëse;
Kjo grua nuk ishte e shkolluar, e punësuar dhe e pavarur ekonomikisht;
Kjo grua ishte e varfër ngase ajo nuk trashëgoi asgjë nga pasuria e të afërmëve;
Kjo grua nuk e gëzoi përkrahjen e kujtdo për t’i shpëtuar vatrës së dhunës;
Kjo grua u inkurajua të durojë dhunën për të ruajtur familjen;
Kjo grua u mësua se duhet t’i shërbejë të tjerët deri në vetëmohim;
Kjo grua u rrit me qëndrimin se “suksesi i saj qëndron në suksesin e të tjerëve”;
Mendimi i kësaj gruaje nuk pati vlerë e as ndikim kur u morën vendimet familjare;
Kjo grua ishte e pafuqishme përballë nesh;
Kjo grua është vetëm ‘numër’;
Kjo grua s’ka emër!
Përveç dhimbjes e mllefit, vallë, a nuk na vie marre?!
Numrat e grave të mbytura nga burrat po rriten.
Por, shtrohet pyetja: edhe sa gra të tjera duhet të vdesin që NE të aktivizohemi?!
Eh tash po e vazhdojmë debatin për xhami.
Nga: Nora Huseinovic Veliu, avokate. / KultPlus.com