23 Korrik, 2021 - 9:06 am
Shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, do të përurohet sot.
Vokrri, njeriu më meritor për pranimin e Kosovës në shtëpitë e futbollit botëror dhe evropian (FIFA dhe UEFA), vdiq tragjikisht në qershor të vitit 2018, vetëm dy vjet pasi e jetësoi ëndrrën e kosovarëve.
Shtatorja e tij u punua vitin e kaluar dhe ishte paraparë të përurohej në fund të tetorit të kaluar, në mandatin e ish-ministres Vlora Dumoshi.
Në përorimin e shtatores do të jenë të pranishëm Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi si dhe personalitete tjera të institucioneve dhe të sportit.
Vetëm ndërtimi i shtatores së Vokrrit kushtoi 49 mijë euro, e cila do të jetë 3 metra e lartë.
Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Në fund të ceremonisë, FFK-ja në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka organizuar një turne futbolli ku do të marrin pjesë futbollistët veteranë të Llapit, Prishtinës, të Kombëtares së Kosovës dhe Kombëtares së Shqipërisë. / KultPlus.com