5 Qershor, 2024 - 9:27 am
Dita Botërore e Mjedisit e njohur nganjëherë edhe si Dita ndërkombëtare e mjedisit është një ditë festive e cila organizohet më datën 5 qershor të çdo viti. Kjo datë është mjeti kryesor i OKB-së për inkurajimin e vetëdijes dhe veprimit për mbrojtjen e mjedisit tonë në nivel global dhe lokal.
5 qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me qëllim të rritjes së vetëdijes rreth çështjeve të mjedisit si dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve aq sa edhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim. U zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara. 5 qershori si datë festive dhe botërore e mjedisit ka nisur të festohet që nga viti 1974.
Qëllimi i kësaj ngjarje është të nxisë aktivitete dhe aksione për të arritur ndryshime pozitive në mbrojtjen e mjedisit. Kjo ditë zakonisht përcillet me një tematikë të caktuar.
Në të kaluarën tema të kësaj ngjarje kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm duke pasur gjithnjë në fokus ruajtjen e shëndetit human. / KultPlus.com