Sot shënohet Dita e Evropës

9 Maj, 2022 - 9:01 am

Deklarata e 9 majit të vitit 1950 ishte koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t`i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.

Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës.

Kjo ditë shënohet edhe në Kosovë me një sërë aktivitetesh nga Zyra e BE-së në Prishtinë, të cilat do të fokusohen te të rinjtë, energjia e gjelbër dhe digjitalizimi.

Duke filluar nga ora 10:00, ambasadori i BE-së Tomash Szunyog dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, do të vizitojnë një grup artistësh grafiti që punojnë në muralin e Ardhmërisë së Gjelbër dhe Transformimit Digjital në rreth-rrotullimin kryesor në hyrjen jugperëndimore të qytetit.

Në ora 11:00, Szunyog dhe Rama do t’iu bashkohen përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së përpara hotelit “Grand” në një shëtitje me biçikleta dhe trotinete elektrike dhe aktivitete të tjera që promovojnë lëvizshmërinë alternative dhe të ardhshme.

Szunyog do të vizitojë mini-ekspozitën “E Ardhmja e Gjelbër” në Shtëpinë e Evropës në mesditë, dhe do të merr pjesë në koncertin hapës të Ditës së Evropës dhe Chopin PianoFest nga ora 19:00.

Në ora 20:30, BE-ja në Kosovë do të organizojë pritjen e Ditës së Evropës dhe ceremoninë e ndarjes së çmimit Evropiani i Vitit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme