Sot u hap edicioni i 19-të i Javës së Bibliotekës në Kosovë

5 Shtator, 2022 - 8:59 pm

Me temën “Dokumentimi i kulturës së emigracionit – koleksionet e shtypura dhe digjitale”, përgjatë një jave në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të organizohen aktivitete kulturore dhe sesione shkencore mbi bibliotekarinë, historinë dhe digjitalizimin.

Në hapje morën pjesë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kryetari i Këshillit Drejtues të BKK-së, Bardh Rugova, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, përfaqësuesja e Fondacionit Basha, Kimete Mitrovica-Basha, përfaqësues të ambasadave të huaja, dhe shumë personalitete tjera nga jeta akademike e kulturore.

Me fjalë e tij ministri Çeku ndër të tjera tha që librin, veprimtarinë botuese dhe bibliotekat i kemi adresuar edhe në reformën e përgjithshme për kulturë e cila veçse ka nisur me miratimin e koncept dokumentit për kulturë që u miratua javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës.

“Libri dhe bibliotekat janë referenca bazë e dokumentimit në një shtet. Biblioteka Kombëtare gëzon një kapacitet të jashtëzakonshëm të cilin po e rrisim çdo ditë e më shumë me mbështetje dhe po e trajtojmë me prioritetin e duhur institucional”, shtoi ministri.

Në kuadër të ceremonisë hapëse, gjithashtu folën edhe kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës, Bardh Rugova, drejtorët e dy bibliotekave, të Kosovës dhe Shqipërisë, Fazli Gajraku, respektivisht Piro Misha dhe bashkëshortja e Ydriz Bashës, Kimete Mitrovica-Basha.

Ceremonia u përmbyll me një program artistik nga solistja Elikona Hysaj-Shala, e shoqëruar në piano nga Pranvera Hoxha-Bryma dhe me hapjen e ekspozitës “Kujtesa e Kosovës – Dokumentimi i kulturës së Emigracionit: Jeta dhe vepra e Ydriz Bashës (dokumente nga arkivi i familjes Basha)” me kuratore Blerina Vehapi, Erodita Ismajli dhe Venera Nitaj. Në hapje të ekspozitës folën Sara Basha, e bija e Ydriz Bashës dhe Xhakomina Halili. /KultPlus.com

Të ngjajshme