Sotir Kolea, humanisti dhe shqiptari i madh që i dha shumë arsimit dhe kulturës

3 Korrik, 2023 - 5:30 pm

Sotir Kolea, leksikograf, folklorist, publicist, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare në vitin 1928 u nda nga jeta 77 vite më parë, më 3 korrik 1945.

Lindi në Berat, më 4 shtator 1872. Kreu gjimnazin në gjuhën greke në Manastir. Më 1896 punoi si mësues i gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar të Kavallës.

Më 1911 u zgjodh sekretar i shoqatës “Bashkimi” në Egjipt. Mori pjesë në dërgatën e Londrës bashkë me Rasih bej Dinon dhe Mehmet bej Konicën. Organizoi tok me Faik Konicën Kongresin e Triestes, në Austro-Hungari në periudhën 27 shkurt – 6 mars 1913.

Më 1915, drejtoi në gjuhën frënge gazetën “L’Albanie” në Lozanë të Zvicrës.

Më 29 qershor, 1919 i drejtoi poetit italian D’Anuncio, një promemorie, ku i bën thirrje ndërgjegjes së poetit dhe artistit që të pengojë etjen pushtuese të Italisë. Mori pjesë në Konferencën e Paqes, po me të kuptuar mosmarrëveshjet e mëdha të forcave të ndryshme politike shqiptarë mes tyre, vendos t’i kushtohet jetës private. Në një letër drejtuar mikut të tij, Mit’hat Frashërit shprehet se: “Kam frikë se do na mbetet zakon në këtë të lumtur Shqipëri se gjithë qeveritë që shkuan gjer më sot, hëngrën, pinë, lanë duart e dolën”.

Në 20 dhjetor 1927 me një letër, Mit’hat Frashëri i njofton i pari vendimin e Këshillit të Ministrave, që emëronte Sotir Kolean drejtor të Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar. Në vitet 1928-1945 kontribuoi në zhvillimin e vlerave kulturore kombëtare. Është meritë e tij ngritja e Muzeut Kombëtar, vënia në baza shkencore dhe pasurimit të fondit të librave dhe dokumenteve me vlera të veçanta kombëtare të Bibliotekës Kombëtare si drejtor. Nga 4 000 që ishte numri i librave në Bibliotekën Kombëtare në janar 1928 kur mori detyrën dhe deri në vitin 1937, kur doli në pension, Kolea shtoi fondin e librit me 14 000 tituj të rinj, botoi periodikë të shumtë vjetorë mbi veprimtarinë e bibliotekës me përshkrimet përkatëse bibliografike të shumë veprave me interes për studime. Kolea ka merita te veçanta për mbledhjen e dokumenteve të rëndësishme me vlera historike, ndër te cilat, prezantimi i parë për dorëshkrimin e Kostë Beratit, historisë së origjinës së flamurit kombëtar të ngritur në Vlorë në 28 Nëntor 1912, zbuloi dhe mblodhi dokumente për Skënderbeun, të dhëna bibliografike për Shtjefën Gjeçovin, Jani Vruhon, Jani Vreton, Fan Nolin, Shirokën etj., fondet që janë sot pasuri kombëtare falë punës së tij. Kolea bëri mjaft kërkime në biblioteka të huaja për dokumente me vlera historike dhe kulturore për Shqipërinë. Nën kujdesin e tij, Muzeu Kombëtar u bë qendra ku nisën të grumbulloheshin objekte të vjetra historike dhe ai vetë, një ndër luftëtarët më të vendosur për mbrojtjen e tyre nga arkeologët e huaj, që morën jo pak vlera dhe zbulime arkeologjike në Butrint, Apolloni, Lezhë, Shkodër e gjetkë. Më 1937 Sotir Kolea doli në pension dhe koha për të mori kuptimin e punës për organizimin, përpunimin, botimin e gjithë kërkimeve dhe studimeve të nisura që në rini ndaj vendoset në Elbasan, qytet ku jetonin një grup studiuesish të njohur të gjuhës, si: Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Lef Nosi, Kristo Floqi etj. Me 8 prill 1940 u zgjodh anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare me kryetar Ernest Koliqin ku qenë grumbulluar intelektualë të shquar si P. Anton Harapi, Eqerem Çabej etj.

Puna më e madhe, më e plotë studimore e tij  mbetet hartimi i 5 fjalorëve, ku më kryesori ai i gjuhës shqipe, ende i pabotuar, për të cilin punoi që nga viti 1905 e deri në fund tw jetës duke përdorur metodën e krahasimit për çdo fjalë të shqipes me fjalorët më të mëdhenj të botuar në gjuhët greke e frënge. Gjatë 30 viteve punoi për hartimin e fjalorit Shqip-Frëngjisht, një për orientalizmat, që janë jo të pakta në gjuhën shqipe. Nga 1909 në Aleksandri dhe deri në 1915 në Lozanë, Kolea hartoi fjalorin Shqip-Greqisht, me 68.963 fjalë, që gjendet si dorëshkrim, një tjetër për shqip-turqisht, etj. Studiues me disiplinë të fortë pune, ka lënë fjalorin e botanikës, veç dorëshkrimeve me studime për etnografinë, zbulimin e Butrintit, toponomastikën e Shqipërisë, etj. Kontributi i Koleas ka peshën e vet të madhe në zhvillimin e disiplinave shkencore shqiptare si leksikografi, folkloristikë, shkencave të natyrës etj. Të gjitha në dorëshkrime të shumta, që ndodhen sot në arkivin e Shtetit në fondin “Kolea”, një nga më të mëdhenjtë, që është përdorur nga shumë studiues. Në vitin 1944 u botua në Tiranë vepra e tij “Një tufë proverba” me ndihmën e Lef Nosit./ QBD /KultPlus.com

Të ngjajshme