17 Prill, 2021 - 1:56 pm
Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, e ka përzgjedhur kompaninë e miliarderit Elon Musk, “SpaceX”, për ta ndërtuar anijen kozmike që do ta dërgojë gruan e parë në Hënë.
NASA e bëri njoftimin zyrtar të premten. Kontrata për ndërtimin e anijes kozimike nga “SpaceX” e ka vlerën e 2.9 miliardë dollarëve, që është shifër shumë më e ulët sesa ato që ofruan kompanitë rivale.
Në garën për ta fituar këtë projekt, kompania e Elon Musk-ut e mposhti kompaninë e miliarderit tjetër amerikan, Jeff Bezos, “Blue Origin”, shkruan Daily Mail, transmeton KultPlus.
Deklarata zyrtare e NASA-s konfirmoi se kompania “SpaceX” do të jetë e vetmja që do t’i dërgojë njerëzit përsëri në Hënë për herë të parë pas misionit “Apollo” para 48 vjetësh.
Misioni që do të quhet “Artemis” dhe që pritet të realizohet në vitin 2024 do të përfshijë katër persona që do të udhëtojnë me anijen kozmike “Orion”. Posa të futen në orbitë, dy anëtarë të ekuipazhit do të transferohen në sistemin për lëshimin e njerëzve dhe do ta vazhdojnë fluturimin drejt Hënës.
Pas rreth një jave të eksplorimit të sipërfaqes së Hënës, ata do të kkthehen në orbitë për t’u futur përsëri në anijen kozmike “Orion” dhe bashkë me dy anëtarët tjerë të ekuipazhit do të kthehen në Tokë. / KultPlus.com