2 Mars, 2025 - 11:12 pm
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka përcjellë sot mesazh me rastin e Kuvendit të Lezhës.
“Themelimi i Kuvendit të Lezhës mbajtur në 2 mars 1444, i njohur edhe si Besëlidhja e Lezhës, është një nga ngjarjet historike kryesore të zanafillës së shtetit shqiptar. Nën udhëheqjen e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, ajo hodhi themelet e bashkimit kombëtar të shqiptarëve kundër pushtuesit të huaj”, shprehet Spiropali.
Sipas Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, “bashkimi politik dhe ushtarak i shqiptarëve përballë rrezikut osman shërbeu si një mesazh i fuqishëm dhe domethënës për të fituar mbështetjen dhe përkrahjen e Papatit dhe Europës”.
“Mesazhi dhe mësimet e Besëlidhjes së Lezhës janë aktuale edhe sot, kur Shqipëria është vendi kandidat që ecën më shpejt dhe më vendosmërisht drejt Bashkimit Europian, një protagoniste e bashkëpunimit rajonal dhe e udhëheqjes së faktorit shqiptar në rajon, drejt familjes europiane, me të cilën na bashkojnë rrënjët, identiteti dhe e ardhmja”, pohon Spiropali./atsh/ KultPlus.com