Spiropali: Shoqëria shqiptare e përmbushur, kur gruaja të jetë plotësisht e respektuar në lirinë e saj

8 Mars, 2025 - 4:00 pm

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, në një mesazh me rastin e 8 Marsit u shpreh se “shoqëria shqiptare mund të quhet e përmbushur dhe e denjë në misionin e saj vetëm kur gruaja të jetë plotësisht e respektuar në lirinë e saj, dhe të ketë hapësirën e plotë për rolin e saj krejt unik në shoqëri”.

“‘Krijimi ka një element themelor simbolik: Hyji, në zanafillë, i jep emërtesën Eva që do të thotë burim jete’. Kaq domethënëse është përmbushja me dinjitet e gruas saqë Hyji i beson burimin e krejt jetës”, tha ajo.

Përveç urimit për të gjitha gratë dhe vajzat, Spiropali kujtoi me respekt të thellë ato që nuk shpëtuan dot nga dhuna”.

“Kujtoj ato që shpëtuan por nuk u shëruan, vajzat që nuk u arsimuan sepse nuk i lejuan, ato që u shkelën dhe u shfrytëzuan, vajzat e martuara me detyrim, ato që përfliten sepse guxojnë, ato që kurrë nuk u lejuan ta shfaqin personalitetin, por edhe të gjitha ato gra dhe vajza që ia dolën duke sfiduar pengesat, ato gra të guximshme dhe inteligjente të potencialit të pakufishëm njerëzor që rri i fshehur tek vajzat e jashtëzakonshme shqiptare kudo ku janë, kudo ku vuajnë, kudo ku lodhen, kudo ku triumfojnë”, theksoi Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se në historinë tonë të mundimshme gratë kanë qenë shembull i jashtëzakonshëm i një feminizmi të fshehtë e pa bujë, por të denjë po aq sa ai i grave të këtij kontinenti, e botës që i përkasim.

“De Beauvoir thoshte se gratë e kuptuan rolin e tyre kur burrat ikën në luftë. Modestisht do të thoja se gratë shqiptare e kishin kuptuar këtë gjë shumë herët sepse historia i detyroi burrat e tyre përherë të luftonin e emigronin. Shoqëria shqiptare mund të quhet e përmbushur dhe e denjë në misionin e saj vetëm kur gruaja të jetë plotësisht e respektuar në lirinë e saj, dhe të ketë hapësirën e plotë për rolin e saj krejt unik në shoqëri”, shtoi ajo.

Përveç ecjes kulturore që kërkon ky proces, Spiropali shprehu përkushtimin që në binarin politik e shtetëror, të punoj me krejt energjitë e mia në Kuvendin e Shqipërisë që ky mision të jetë i përmbushur./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme