Sporte ujore për kthimin e lumit Drin në atraksion turistik në qytetin e Lezhës

9 Qershor, 2020 - 4:30 pm

Kthimi i lumit Drin në një atraksion turistik, përmes organizimit të sporteve ujore është nisma më e fundit e bashkisë Lezhë, e cila ka promovuar në vijimësi aktivitetet sportive.

Me iniciativën dhe kujdesin e veçantë të Drejtorisë së Sporteve dhe mbështetjen e kryetarit të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, u zhvillua sot aktiviteti sportiv ”Gara me Kajak dhe Kanoa”.

Ky aktivitet ka si qëllim angazhimin e të rinjve në sport dhe integrimin e tyre në jetën sociale dhe kulturore të qytetit.

Përveçse i japin gjallëri qytetit, aktivitete të tilla shërbejnë edhe për të sensibilizuar të gjithë komunitetin që të merret me aktivitet fizik, si mundësi për të parandaluar një sërë sëmundjesh.

I pranishëm në këtë aktivitet, Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Viron Bezhani vlerësoi se “hapat e ndërmarra nga Lezha janë pozitive”.

Gara me kajak dhe dragonboat shikohet si një mundësi e bukur për t’u aktivizuar në mënyrë masive me sport, si dhe për të nxitur turizmin.

Nga ky aktivitet u shpallën fitues 3 djem dhe 3 vajza të cilët u vlerësuan me certifikata vlerësimi. /Atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme