Stafi shëndetësor në Kosovë s’di ta japë vaksinën anti- COVID-19

28 Dhjetor, 2020 - 2:18 pm

Derisa Kosova po bën përpjekje për ta siguruar vaksinën kundër COVID-19, punëtorët shëndetësorë në vend ende nuk janë të përgatitur për ta dhënë këtë vaksinë. Me furnizimin me këtë vaksinë thuhet se mund të dështojmë në dhënien e saj, raporton Gazeta Express.

Punëtorët shëndetësorë në Kosovë vlerësohet se janë të papërgatitur për ta dhënë vaksinën kundër COVID-19.

Edhe pse nga Qeveria e Kosovës dhe nga Ministria e Shëndetësisë janë bërë kërkesat për furnizim me këtë vaksinë, nuk është marrë ndonjë veprim për përgatitjen e stafit shëndetësor për ta dhënë atë. Kësisoj thuhet se përveç se mund të ketë vonesa në vaksinimin e qytetarëve, mund të ketë edhe dështime në vaksinim.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për Express se nuk janë duke u bërë parapërgatitje për vaksinim ashtu siç kanë bërë shtetet tjera.

Ai është shprehur se punëtorët shëndetësorë nuk janë të përgatitur për vaksinim dhe kjo është neglizhencë e Qeverisë.

“Parapërgatitjet në Kosovë nuk janë bërë si janë bërë në shteteve tjera. Unë e kam ngritur edhe më herët këtë çështje. Kjo është një neglizhencë e radhës. Ne nuk jemi të përgatitur si duhet për vaksinë. Nëse ndodh që vaksina të vihet në mënyrë të pakontrolluar unë frikësohem se mund të dështojmë”, ka thënë ai.

Syla ka deklaruar se në Kosovë nuk ka as stoqe adekuate për t’u ruajtur këto vaksina, derisa ka thënë se edhe buxheti i vitit të ardhshëm duhet të votohet më shpejt për ta ndihmuar këtë situatë.

“Ne nuk jemi të përgatitur si duhet për vaksinë, nuk ka edhe stoqe ku duhet të ruhen këto vaksina. Me sa kam informacione nuk kemi as buxhet për to, andaj edhe duhet të aprovohet buxheti”, ka shtuar ai.

Ndërsa, edhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka thënë për Express se me këto kapacitete që kemi në vend, realizimi i vaksinës mund të mos jetë efikas.

“Kjo vaksinë ka nevojë për dy intervenime. Me këto kapacitete të stërngarkuara të stafit shëndetësor mund të jetë vështirë një realizim efikas i vaksinimit. Edhe furnizimi me vaksinë mendoj se do të jetë i vonshëm”, ka deklaruar ai.

Uka është shprehur se me veprimet që janë ndërmarrë deri tani, do të jetë shumë vonë që vendi të përgatitet për realizimin e vaksinave.

“Unë mendoj që jemi shumë vonë për ta realizuar një proces të tillë të vaksinimit dhe po uroj që të jem gabim, por me këta hapa që i kemi parë deri tani nga Ministria e Shëndetësisë jam shumë skeptik me skenarin që mund të ballafaqohemi”, ka shtuar ai.

 Ndërsa, as Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk kanë pranuar të flasin për përgatitjen e punëtorëve shëndetësorë.

Në anën tjetër, Antigona Baxhaku-Idrizi, këshilltare politike e kryeministrit Hoti, ka thënë për Express se Qeveria ka bërë përpjekje që Kosova të jetë në mesin e vendeve të para që do ta marrin vaksinën kundër COVID-19, ndërsa, sipas saj, janë bërë plane edhe kush do ta marrë këtë vaksinë së pari.

“Qeveria ka bërë përpjekje maksimale që Kosova të jetë në mesin e vendeve të para që e marrin vaksinën kundër Covid-19. Është hartuar një plan veprimi për grupet e caktuara që do të jenë në mesin e të parëve që e marrin këtë vaksinë”, ka shtuar ajo.

Kujtojmë që me miratimin e vaksinës nga Bashkimi Evropian, shumë shtete tashmë kanë filluar të furnizohen me vaksinën ndaj COVID-19.

Në mesin e tyre, edhe Serbia është furnizuar sot me disa doza të kësaj vaksine. Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë nuk është bërë e ditur se kur do të furnizohet Kosova me to. /Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme