6 Prill, 2023 - 5:28 pm
Flonja Haxhaj
Sirenat e policisë, bombardimet, zhurmët e armëve e të ndërtesave të shkatërruara janë ato që e shoqërojnë Ukrainën dhe popullin e saj tash e më shumë se një vit që prej sulmeve të para të filluara nga Rusia, e që përveç shkatërrimeve, la pas vetes edhe shumë viktima, shkruan KultPlus.
Por kjo situatë, nuk i ndaloi shumë njerëz nga mbarë bota t’ia mësyjnë këtij vendi, për të dokumentuar vetë tmerrin që lufta sjell pas vetes.
E një veprim të tillë e bëri edhe gazetarja maqedonase Kristina Atovska e cila për tre muaj rresht qëndroi në Ukrainë, e në këtë periudhë qëndrimi ngriu momente me aparatin e saj, si një nismë e vogël për t’i treguar botës imazhe që pasqyrojnë realitetin që tashmë po e jetojnë ukrainasit.
E disa nga këto fotografi të realizuara që në ditën e 20-të të luftës në Ukrainë, u ekspozuan në KultPlus Caffe Gallery, në ekspozitën që u hap mbrëmë, për të sjellë përpara publikut kosovar një histori jo të panjohur për të. Kjo ekpozitë transmetoi dhe pasqyroi frikën dhe luftën për mbijetesë, ku mes shkatërrimeve në të gjitha anët, dëshira për t’u ringjallur tejkalon gjithçka.
Përveç fotografive që dëshmojnë tmerrin në Ukrainë, në këtë ekspozitë u shfaq edhe traileri i filmit dokumentar ‘Silent Lullabies’ e që është një përmbledhje e shkurtër dhe e dhimbshme e gjithë situatës në këtë vend.
E pikërisht hapjen e kësaj ekspozite e bëri producenti i filmit, Viktor Petreski, i cili pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, tha se në këto fotografi mund të shihet vetëm një pjesë e vogël e tmerreve nëpër të cilat jetojnë ukrainasit për më shumë se një vit.
“Autorja e kësaj ekspozite, vendosi të bëjë çmos që të arrijë sa më shpejt në Ukrainë dhe mundësoi që të dëgjohej zëri i njerëzve të prekur nga lufta. Në ditën e njëzetë të luftës, ajo shkoi në Ukrainë me mjete minimale, krejtësisht e vetme dhe qëndroi atje për tre muaj. Shumë nga historitë prekëse që ajo dëgjoi gjatë qëndrimit të saj atje, përfunduar në filmin dokumentar të saj të quajtur ‘Silent Lullabies’, që tashmë ka fituar nëntë çmime dhe 14 përzgjedhje në festivalet ndërkombëtare të filmit. Fotografitë e shfaqura këtu janë vetëm një paraqitje e shkurtër e këtij filmi”, u shpreh Petreski i cili mes tjerash tha se kjo ekspozitë bashkë me filmin janë një mënyrë për të treguar mbështetje për popullin ukrainas dhe një frymëzim për të tjerët që të mbështesin ata në çdo mënyrë që munden.
Më pas, fjalën e mori vetë autorja Kristina Atovska, si rezultat i punës së së cilës u realizua edhe kjo ekspozitë, e cila përveç se në Prishtinë, është hapur edhe në Shkup e Tiranë.
“Një nga padrejtësitë më të mëdha që mund t’i ndodhë një personi është të zgjohet me një ushtri armike në oborrin e tij. E kalova gjithë karrierën time duke luftuar padrejtësitë, prandaj ishte shumë e rëndësishme për mua t’u jepja zë ukrainasve që kanë ngecur në një realitet të tmerrshëm, jo prej zgjedhjes së tyre. Miliarda civilë të pafajshëm po bien në gjumë me sirena dhe alarme nga bombardimet. Ka vende ku sirenat janë të heshtura dhe vetëm sepse bombardimet atje nuk ndalen kurrë. Të gjithë këta civilë kanë vetëm një dëshirë gjatë ditës, të mbijetojnë. Fatkeqësisht për mijëra njerëz, kjo dëshirë nuk u realizua”, rrëfen Atovksa momentet e tmerrshme që i përjetoi në Ukrainë.
Përveç ekspozitës, publiku pati mundësinë ta shohë edhe trailerin e filmit dokumentar, për të cilin, Atvoska thotë se ka vendosur t’i ekspozojë të gjitha historitë që pasqyrojnë të gjitha format e rezistencës së ukrainasëve.
“Historitë që kam vendosur t’i shfaq në film, janë ato që tregojnë të gjitha format e rezistencës që ukrainasit përdorën për t’u përballur me tmerret e imponuara nga okupatori”, tha mes tjerash Atovska.
Në hapjen e ekspozitës “#StandWithUkraine” e cila u mundësua nga KultPlus dhe Flori Zaevi, foli edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila vlerësoi lart ekspozitën dhe punën e gazetares Kristina Atovska, e cila pavarësisht rreziqeve shkoi në fronin e luftës, për të dëshmuar horrorin që po ndodhte atje.
“Kjo ekspozitë është më e pakta që kemi mundur të bëjmë ne si KultPlus, duke e marrë parasysh që para më shumë se 20 viteve e kemi kaluar të njëjtën përvojë, të njëjtën dhimbje, por shpresa që jeta të mos të ndalet tregojnë pikërisht këto fotografi, shumë prej të cilave shfaqin dhimbje, por edhe fotografi që tregojnë se njeriu është forca e jetës. Ne si shqiptarë, e kemi pasë fatin që ta përjetojmë luftën në Kosovë, e Kristina e ka bërë detyrën e saj në një nivel tjetër, ka shkuar si gazetare në një vend lufte, për t’iu treguar botës, atë që po ndodh në Ukrainë”, u shpreh Pajaziti.
E pranishme në këtë ekspozitë ishte edhe Lyudmila Makey, gazetarja e parë e cila u strehua në Kosovë pas luftës në Ukrainë. Ajo falënderoi gazetaren Atovska, që po e vendos në sytë e të tjerëve, atë që shohin çdo ditë ukrainasit.
“Unë dua t’ju tregoj juve rreth historisë së familjes time. 70 vite më parë, nëna ime ishte një vajzë e vogël dhe ajo ishte nje refugjate. Dhe pas kaq vitesh, unë dhe vajzat e mia jemi prapë refugjate sepse Ukraina jonë është në zjarr. Çdo fotografi këtu është një mesazh i fortë, ashtu siç edhe populli i Ukrainës është”, u shpreh Makey për KultPlus.
Ndërkaq, ju kujtojmë që ekspozita ‘#StandWithUkraine’, e hapur më 5 prill në KultPlus Caffe Gallery, do të qëndrojë e hapur për dy javë./ KultPlus.com