STEFORA – dy vite me plot aktivitete për fuqizimin e vajzave dhe grave në fushat STEM në Kosovë dhe Shqipëri
12 Dhjetor, 2024 - 3:01 pm
Projekti STEM për të gjithë – STEFORA po kontribuon në fuqizimin e grave dhe vajzave përmes ndërtimit të kapaciteteve për programe STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë) në institucionet e arsimit të lartë me fokus në gjithpërfshirje dhe diversitet. Projekti mbëshetet nga Programi i Erasmus+ të Bashkimit Europian dhe implementohet në partneritet nga gjashtë institucione të arsimit të lartë në Kosovë, Shqipëri, Suedi dhe Irlandë.
Si i tillë, projekti është i dizajnuar me një qasje gjithpërfshirëse dhe synon i) adresimin e barrierave institucionale duke krijuar qytetari digjitale ii) aplikimin e parimeve universale në dizajnimin e aktiviteteve mësimore si dhe infrastrukturën mbështetëse iii) përvetësimin e një qasjeje kritike ndaj normave shoqërore duke ngritur vetëdijen kulturore rreth përfshirjes së vajzave dhe grave në fushat STEM në Kosovë dhe Shqipëri.
Projekti është realizuar në tre faza:
Kontekstualizimi i përvojave, sfidave dhe mundësive të vajzave dhe grave në fushat STEM, përmes një serie të diskutimeve të organizuara me akterë relevantë në STEM në Kosovë dhe Shqipëri. Të dhënat e mbledhura nga këto diskutime tregojnë se pavarësisht përparimit të bërë në rritjen e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave në fushat STEM, normat ekzistuese shoqërore, si përgjegjësitë për familjen po vazhdojnë të luajnë rol të rëndësishëm në zgjedhjen profesionit dhe vazhdojnë t’i riprodhojnë pabarazitë gjinore në shkollim dhe në tregun e punës. Gjatë diskutimeve është vënë në pah edhe fakti se rritja e interesimit të vajzave në fushat e Inxhinierisë Teknologjike mund të ndodhë sepse në shume raste kjo lejon punë nga shtëpia e poashtu disa fusha STEM ofrojnë mundësi mësimdhënieje që prapë ju ofron grave dhe vajzave më shumë fleksibiltet në orarin e punës. Megjithatë, kjo nuk po ndodh ende në fushat të konsideruara tradicionalisht që ju përkasin burrave si energjia, makineria, dhe ndërtimtaria.
Ndërtimi i kapaciteteve përmes dizajnimit të moduleve, trajnimeve dhe punëtorive të ndryshme. Bazuar në gjetjet nga diskutimet me akterë si dhe për të arritur synimet e projektit, janë dizajnuar tre module trajnuese me fokus ne qytetarinë digjitale; parimet universale në dizajnim; si dhe qasje kritike ndaj normave shoqërore. Më pas, janë zhvilluar një sërë trajnimesh të avancuara, punëtori, dhe uebinare më stafin akademik dhe administrativ të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe Shqipëri me synim të krijimit të një qasje kritike ndaj stereotipeve gjinore në STEM përmes rishikimit të planprogrameve, materialeve mësimore por edhe infrastrukturës mbështetëse në këto institucione.
Punëtori e mbajtur në RIT Kosovo, Kosova, 2023
Sigurimi i qëndrueshmërisë së rezultateve të projektit duke hartuar strategji për gjithpërfshirje dhe diveristet ne STEM në katër institucionet në Kosovë dhe Shqipëri. Poashtu, është ndërtuar STEM Observatory ku stafi akademik nga institucione të ndryshme mund të ketë qasje t’i shfrytëzojë modulet dhe materialet trajnuese në të ardhmen. Poashtu, për të rritur vetëbësimin e vajzave dhe grave të reja në STEM, në kuadër të projektit është krijuar Rrjeti i Grave Eksperte në STEM. Përmes ketij rrjeti synohet që gratë e njohura në fushat STEM do të shërbejnë si mentore për vajzat dhe gratë e reja që synojnë të ndjekin karrierën e tyre në këto fusha.
Trajnim për qytetari digjitale, MU, Irlandë, 2024
Nismat dhe aktivitetet e realizuara në kuadër të projektit STEFORA paraqesin hapa të rëndësishëm drejt thyerjes se barrierave sistematike si dhe fuqizimit te vajzave dhe grave në fushat STEM. Megjithatë, që të arrijmë barazi gjinore kërkohen reformat të vazhueshme, aktivitete avokuese si dhe ndryshime kulturore në mënyrë që të çrrënjosen stereotipet gjinore dhe pabarazitë strukturore. Prandaj, duke intensifikuar përpjeket tona përmes projekteve dhe nismave të ngjashme si STEFORA mund të kontribuojmë në vazhdimësi në krijimin e një terreni më të barabartë në STEM ku do të përfitojnë jo vetëm gratë, por edhe shoqëria në përgjithësi.
Vërejtje: Ky dokument është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e konsorciumit STEFORA dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian./ KultPlus.com