Sterjo Spasse, shkrimtari që e çoi prozën shqiptare drejt modernizmit

14 Gusht, 2024 - 1:42 pm

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kujtoi sot, në 110- vjetorin e lindjes, shkrimtarin Sterjo Spase (1914-1989). Sterjo Spasse është një nga autorët më në zë në letrat shqipe pas viteve `30, prozator me kontribute të spikatura.

Romani “Pse?”, i botuar në vitin 1935, mbahet si romani i parë filozofik i shkruar në Shqipëri, në gjuhën shqipe.

QKLL shkruan se Spasse mbetet një prozator emblematik i atyre viteve, duke u larguar nga tematika e zakonshme romanore e kohës për të shenjuar dhe një tipologji të re të rrëfimit në historinë e prozës, të romanit shqip, duke e shpënë llojin letrar drejt modernizmit.

Sterjo Spasse lindi në Gollomboç dhe u nda nga jeta në Tiranë në vitin 1989. Veprimtaria letrare e shkrimtarit Sterjo Spasse është e shumëllojshme. Shkroi punime pedagogjike, tekste shkollore, u mor me përkthime, shkroi artikuj të ndryshëm, monografi, tregime, romane, etj.

Veprimtaria e tij, sidomos ajo letrare, zë fill që nga vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Kjo ishte një periudhë në të cilën shkrimtari Sterjo Spasse u dallua me krijimet e veta, sidomos në fushën e tregimit dhe atë të romanit.

Botoi katër përmbledhje tregimesh: “Kurorë rinie” (1934), “Në krahët e një femre” (1934), “Nusja pa duvak” (1944) dhe “Të fala nga fshati” (1958) si dhe dhjetë romane: “Nga jeta në jetë – Pse!?” më 1935 – që mbahet si kryevepra e tij, “Afërdita” (1944), “Ata nuk ishin vetëm” (1952), “Afërdita përsëri në fshat” (1954), “Buzë liqenit” (1965), “Zjarre…” (1972), “Zgjimi” (1973), “Pishtarë” (1975), “Ja vdekje ja liri” (1978), dhe “Kryengritësit” (1983).

Redaksia e botimeve “Rilindja” i botoi në vitin 1968 një komplet veprash në tetë vëllime, ndërsa herë pas here ka botuar vepra të ndryshme. Më 1980-1985 iu botuan po ashtu në Tiranë botimi integral “Vepra”, me nëntë vëllime. Në vitin 1980 iu përkthye në anglisht romani “Zgjimi”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme