25 Maj, 2021 - 2:15 pm
Me rastin e zhvillimit të ‘’Defender Europe 21’’, që njihet si stërvitja më e madhe ushtarake pas Luftës së Dytë Botërore, edhe njësitë e veçanta të Forcës së Sigurisë së Kosovës me rreth 300 ushtarë janë bërë pjesë e kësaj stërvitje së bashku me 28 mijë ushtarë nga 27 vende pjesëmarrëse, shkruan KultPlus.
Pas këtij lajmi, edhe kryeministri Albin Kurti ka reaguar pozitivisht dhe është shprehur se ushtarët e FSK-së kanë treguar përkushtim dhe profesionalizëm në aktivitetet stërvitëse të ‘Defender Europe 21’, në Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci.
Tutje ai ka folur edhe rreth stërvitjeve të përbashkëta mes trupave të vendit tonë dhe atyre të aleatëve, me ç’rast kanë ngritur aftësinë dhe gatishmërinë e ushtarëve të FSK-së.
KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:
Nga Baltiku në Detin e Zi dhe deri në Mesdhe, nën drejtimin e ushtrisë amerikane, po zhvillohet “Defender Europe 21”, stërvitja më e madhe ushtarake pas Luftës së Dytë Botërore. Mes 28 mijë ushtarëve nga 27 vende të përfshirë në këtë stërvitje, janë edhe njësite të veçanta të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me mbi 300 ushtarë. Kjo e ka bërë Kosovën për herë të parë vend pritës të një ushtrimi kaq të madh, që drejtohet nga Ushtria e ShBA-së për Evropë dhe Afrikë. Ushtarët e FSK-së po tregojnë përkushtim dhe profesionalizëm në aktivitetet stërvitëse të “Defender Europe 21”, në Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci. Pritja e trupave amerikane në vendin tonë dhe stërvitjet e përbashkëta me trupat e vendeve aleate, po ngritin aftësinë dhe gatishmërinë e ushtarëve të FSK-së si dhe ndërveprueshmërinë e tyre me partnerët tanë strategjikë. / KultPlus.com