3 Mars, 2025 - 12:22 pm
Pranvera nisi në TKOBAP me dy premiera absolute dhe një kryevepër klasike.
Filizat e rinj të kompozicionit, fitues të çmimit “Çesk Zadeja” për kompozitorët e rinj, sollën krijimet e tyre në një koncert të jashtëzakonshëm nga Orkestra Simfonike e TKOBAP-së.
Kompozitori Kris Sopiqoti solli premierën absolute të “Sonority”, ndërsa kompozitori Endri Sina premierën absolute të sinfonietës “Paladea”. Sopiqoti ishte fituesi i çmimit të parë në konkursin “Çesk Zadeja” me veprën “Sonority” për orkestër harqesh.
“Vepra “Sonority” është kompozuar për konkursin “Çesk Zadeja”, edicioni II, organizuar nga TKOB dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ajo përfshin spektrin, harmoninë dhe polifoninë dhe është një vepër kontemporane ku do të dëgjoni një miks të këtyre 3 cilësive të muzikës”, u shpreh kompozitori Sopiqoti në faqen online të TKOB-së. Ndërsa kompozitori Endri Sina, shpjegoi se vepra e tij e llojit sinfonietë është ciklike, ku koha e parë është pastorale, e dyta lamento, e treta valle dhe e katërta allegro.
Një tjetër vepër e luajtur në koncert ishte e Sergei Prokofiev, koncert për violinë n. 1 në Re Mazhor, Op. 19, i cili interpretua nga violinisti Leonard Simaku./atsh/KultPlus.com