30 Maj, 2020 - 12:00 pm
Këshilli i Studentëve në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, kanë paralajmëruar se do të dalin në protestë, nëse ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami nuk pranon të takohet me ta të hënën në lidhje me konkursin për bursat.
Sipas tyre, me konkursin për bursat të rishpallur nga ana e MASHTI-t, atyre u është bërë padrejtësi, duke mos u marrë parasysh që janë ndër fakultetet më të vështira dhe sipas tyre është ndryshuar edhe pika 1.5 e konkursit nga tetori i vitit të kaluar.
“Sot nga ana e Ministres Bajrami u bë publik konkursi i rishpallur për bursa nga ana e Ministrisë. Për fat te keq, ne mendojmë se është bere padrejtësi ndaj studenteve te Fakulteteve Teknike, duke mos u marr parasysh si një nder fakultet me te vështira e njëkohësisht duke bërë ndryshim të pikës 1.5. te konkursit për bursa i shpallur në tetor të vitit të kaluar, i cili thotë: “ Të gjitha fushat e cekura në pikën 1.4 të këtij konkursi të kenë notën mesatare të studimeve së paku 9.0, në përjashtim të fushës së Teknikut që duhet të jetë së paku 8.0. Konkursi i fundit është anuluar padrejtësisht, ani pse çdo gjë ka qenë në rregull me të. Bursat e MASHT-it iu jepen studenteve te drejtimeve deficitare, pra duke përfshi Fakultetin Teknik, FSHMN dhe Shkencat e aplikuara. Të anashkalohen këto drejtime dhe te bëhen bashke me drejtimet studentet e të cilave mbi 90% kanë note mesatare mbi 9.0 është turpi më i madh”, thuhet në njoftimin e këtij grupi.