12 Prill, 2024 - 7:10 pm
Me një diskutim rreth gjuhës së urrejtjes ndaj gazetarëve, ka filluar sot fushata e studentëve të Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, për shfaqjen e vizionit për të ardhmen e medias në vitin 2040.
Beneta Buja, studente e vitit të dytë në këtë departament, tregoi për përvojën e saj dhe të pesë studenteve të tjera, pjesëmarrëse në këtë projekt, si dhe për punën e bërë në projektin “Media2040: Fuqizimi i avokuesve të rinj për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor” që nga muaji tetor i vitit të kaluar. Ajo ka thënë që përvoja me këtë projekt ka ndihmuar në përmirësimin e njohurive të saj dhe kolegëve të tjerë për aspekte të ndryshme të medias, përfshirë; institucionet, ligjin, teknologjinë, gazetarët dhe tregun e medias. Sipas saj, projekte të tilla janë dobiprurëse për studentët.
Në anën tjetër, koordinatori akademik për Kosovë i këtij projekti, Alban Zeneli, ka thënë që ky projekt ka ndihmuar studentët që të kuptojnë dhe bashkëpunojnë me bashkëmoshatarë të tyre nga fusha e njëjtë e studimit, me qëllim të ndikimit në përmirësimin e sferës mediale në secilën prej shoqërive.
Më tutje në tryezën e organizuar në hapjen e fushatës së studentëve për shfaqjen e vizionit për media 2040, profesoresha Remzie Shahini-Hoxhaj në duke bërë prezantimin kryesor të tryezës për gjuhën e urrejtës ndaj gazetarëve ka ofruar të dhëna nga hulumtimet e këtij fenomeni në Kosovë. Sipas saj, gjuha e urrejtjes ndaj gazetarëve në rastin e Kosovës ndikon në rritjen e autocenzurës së gazetarëve dhe në demotivimin e tyre në punë. Njëherësh, ajo informoi që nga hulumtimi ka rezultuar që 91% e gazetarëve kanë përjetuar gjuhë të urrejtjes gjatë karrierës së tyre.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin edhe profesorë dhe studentë nga Departamenti i Gazetarisë në UP, të cilët kontribuuan aktivisht në debat dhe sollën perspektiva dhe ide të reja.
Në projektin “Media2040: Fuqizimi i avokuesve e të rinj për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor”, po marin pjesë studentet e Departamentit të Gazetarisë: Era Rrmoku, Zana Pllana, Beneta Buja, Rijona Vojvoda, Erona Baliu dhe Learta Beqiri të cilat janë duke u mentoruar për t’i realizuar objektivat e projektit nga profesorët: Alban Zeneli, Remzie Shahini-Hoxhaj, Muhamet Jahiri dhe Gëzim Qerimi.
Në kuadër të këtij projekti do të mbahen edhe disa aktivitete në javët në vazhdim.
Pjesë e “Media2040” janë mbi 50 profesorë dhe studentë nga fushat e gazetarisë dhe komunikimit nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Sarajevës, Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Universiteti i Novi Sadit, Universiteti i Malit të Zi dhe Universiteti “St. Cyril and Methodius” nga Shkupi.
Ky projekt mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës ne Prishtinë, Fondit Holandez për Bashkëpunim Rajonal, programi MATRA. /Kosova.info/KultPlus.com