2 Shkurt, 2023 - 8:00 pm
Parlamenti studentor ka organizuar një protestë kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në kohën kur komuniteti ndërkombëtar ka rritur presionin ndaj Kosovës për respektimin e të gjitha marrëveshjeve të mëhershme të arritura në mes të Kosovës dhe të Serbisë.
Parlamenti studentor ka caktuar datën 15 shkurt të këtij viti si datë të protestës, datë e cila shënon edhe përvjetorin e 53-të të themelimit të Universitetit të Prishtinës.
“Më 15 shkurt të këtij viti shënojmë 53 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, universitet ky që përgjatë historikut gjysëm shekullor, përveçse tempull i dijes, ka shërbyer edhe si vend i rezistencës. Historia e Universitetit pashmangshëm është e lidhur ngushtë me historinë e vendit tonë. Kujtojmë këtu rolin kyç të pararendësve tanë në protestat e viteve 1968, 1981 e 1997 që kulmuan me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Rreth 24 vite pas përfundimit të luftës së fundit e 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës sërish po i cenohet sovraniteti e integriteti territorial i saj”, shkruan në njoftimin për protestë.
Vendtakimi për protestën është tek Biblioteka Kombëtare në orën 16:00.
Ky është njoftimi i plotë:
Më 15 shkurt të këtij viti shënojmë 53 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, universitet ky që përgjatë historikut gjysëm shekullor, përveçse tempull i dijes, ka shërbyer edhe si vend i rezistencës.
Historia e Universitetit pashmangshëm është e lidhur ngushtë me historinë e vendit tonë. Kujtojmë këtu rolin kyç të pararendësve tanë në protestat e viteve 1968, 1981 e 1997 që kulmuan me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Rreth 24 vite pas përfundimit të luftës së fundit e 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës sërish po i cenohet sovraniteti e integriteti territorial i saj.Ndonëse në rrethana krejtësisht të ndryshme, përsëri është i domosdoshëm mobilizimi e organizimi studentor për të kundërshtuar një të keqe që po provohet të instalohet brenda shtetit tonë.
Asociacioni një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë. Kështu sepse asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin serb, por më shumë ndikim të Serbisë mbi territorin e Kosovës.
Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për të cilin ende nuk ka kërkuar falje. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që asociacioni do të thotë autonomi e cila më pas ka shpier në luftë.
Në vend se të flasim lidhur me marrëveshjen e cila parasheh njohjen reciproke të diplomave universitare në mes Kosovës dhe Serbisë, sot flitet vetëm për asociacionin një etnik që cenon stabilitetin dhe paqen e shtetit tonë.
Prandaj të mërkurën e 15 shkurtit, përveçse kremtojmë përvjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, MARSHOJMË BASHKË KUNDËR ASOCIACIONIT.Me këtë rast Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht bindjeve politike, që të na bashkohen në marshin kundër asociacionit një etnik.
DATA: 15.02.2023
VENDTAKIMI: Biblioteka Kombëtare
ORA: 16:00 / KultPlus.com