Studentët kërkojnë shtyrjen e vitit të ri akademik shkaku i provimeve të vonuara

28 Maj, 2020 - 8:00 pm

Viti i ri akademik 2020/2021 në Universitetin e Prishtinës mund të mos nisë më 1 tetor, ashtu siç e parasheh Statuti i UP-së.

Kjo pasi që Parlamenti Studentor ka drejtuar një kërkesë që fillimi i tij të shtyhet për dy javë. Kërkesa është bërë për shkak se këtë vit mbajtja e provimeve në afatet e qershorit e shtatorit mund të marrë më shumë kohë sesa viteve të kaluara, pasi studentët duhet të ndahen në disa grupe për t’i respektuar masat e distancës sociale.

Sipas kryetarit të Parlamentit studentor, Bledian Geci, kjo shtyrje duhet të bëhet në mënyrë që organizimi i provimeve të mos interferojë me vitin e ri akademik. Ka thënë se presin që Universiteti ta miratojë kërkesën e tyre. Kurse, Rektorati i Universitetit të Prishtinës ka bërë të ditur për KOHËN se kërkesa për shtyrjen e fillimit të vitit të ri akademik do të trajtohet të premten nga Senati.

Përveç tjerash, pritet të vendoset edhe për hapjen e afatit të provimeve të qershorit dhe mënyrën e mbajtjes së tyre. Koha.net / KultPlus.com

Të ngjajshme