Studentët nga Ukraina vizitë në Shqipëri, njihen me traditat popullore

19 Maj, 2021 - 1:39 pm

Një grup nxënësish nga Ukraina po vizitojnë këto ditë Shqipërinë. Agjencia Kombëtare e Diasporës në bashkëpunim me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore organizoi një koncert për ta, ku u njohën dhe me traditat shqiptare.

Ky aktivitet zhvillohet në zbatim të programeve që Agjencia ka për shqiptarët e Ukrainës. Gjatë koncertit u interpretuan edhe valle tradicionale të përbashkëta midis trupës profesioniste të Ansamblit dhe nxënësve të ardhur nga Ukraina. Para fillimit të pandemisë, në kuadër të marrëveshjes me Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit janë organizuar klasa të mësimit të valleve dhe kulturës shqiptare për komunitetin shqiptar në Karakurt, Tyushki, Divnyns`ke dhe Gamovka. 

Aktiviteti artistik, zhvillohet duke pasur në vëmendje misionin e Agjencisë, për zhvillimin dhe konsolidimin e bashkëpunimit institucional me diasporën, me qëllim zbatimin e një qasje gjithëpërfshirëse në zhvillimin ekonomik politik, social dhe kulturor të Shqipërisë, në ruajtjen e gjuhës, traditës, identitetit kombëtar.

Gjatë qëndrimit të tyre një javor në Shqipëri ata kanë vizituar qytetet si Tirana, Durrësi, Kruja e Vlora. Grupi i studentëve përbëhet nga 31 persona të cilët vijnë nga Zaporizhia, Odessa dhe Kharkiv, vende ku jetojnë shqiptarë. / Gazeta Diaspora / KultPlus.com

Të ngjajshme