10 Dhjetor, 2020 - 2:27 pm
Organizata studentore “Studim, Kritikë, Veprim” ka mbajtur sot një aksion para Qeverisë së Kosovës në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e studentëve në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili u votua të premten e kaluar në Kuvendin e Kosovës.
Para objektit të Qeverisë ata vendosën një pako të zezë me mesazhin “Ndihma e Qeverisë për studentë”.
Dionit Kabashi, nga kjo organizatë theksoi se ende pa nisur viti akademik i janë drejtuar me 13 kërkesa Këshillave Drejtues të Universiteteve Publike, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Qeverisë së Kosovës.
“Kemi kërkuar largimin e të gjitha tarifave për shkollim të vitit akademik 2020/2021, si ndihmë e vogël për studentët dhe familjet e tyre për shkak të krizës së madhe ekonomike si pasojë e COVID-19 që i ka prekur ata dhe familjet e tyre”, ka thënë ai.
Kabashi theksoi se përmes aksionit simbolikë po shprehin pakënaqësitë se si qeveria në një ligj qindra milionësh nuk gjet vend për studentët e këtij vendi. /Gazeta Express/ KultPlus.com