Studim në Francë, vullnetarët largohen nga shpella pas 40 ditësh izolimi

25 Prill, 2021 - 4:30 pm

Një grup vullnetarësh francezë kanë dalë nga një shpellë pas një studimi 40-ditor që është bërë për të eksploruar kufijtë e përshtatjes njerëzore ndaj izolimit.

15 pjesëmarrësit u ngujuan pa telefona, orë ose dritë dielli, në shpellën e Lombrives në Francën jug-perëndimore.

Ata fjetën në tenda, prodhuan vetë energjinë elektrike dhe nuk kishin asnjë kontakt me botën e jashtme.

Projekti synonte të konstatojë se si njerëzit reagojnë ndaj humbjes së ndjenjës së tyre të kohës dhe hapësirës.

Eksperimenti i quajtur “Deep Time” mori fund të shtunën, duke lejuar tetë burrat dhe shtatë gratë të moshës 27 deri 50 vjeç, të largohen nga shpella, raporton BBC, përcjell Klan Kosova, transmeton KultPlus.

Shkencëtarët që mbikëqyrën projektin hynë në shpellë një ditë më parë për të thënë se projekti ishte afër fundit.

Duke buzëqeshur, por në dukje të trullosur, grupi e përfundoi izolimin. Ata kishin syze dielli për t’u dhënë syve kohë për t’u përshtatur me rrezet e diellit.

Drejtori i projektit, eksploruesi franko-zviceran Christian Clot, tha se koha dukej se kalonte më ngadalë në shpellë.

Një vullnetare, Marina Lançon, 33 vjeçare, tha se eksperimenti “ishte si një pushim i ngutshëm” në jetë.

Ata duhej të mbështeteshin në organizmin dhe ciklet e tyre të gjumit për të strukturuar ditët e tyre.

Në shpellë, ata kishin në dispozicion pak komoditete moderne. Për shembull, vullnetarëve u duhej të gjeneronin energjinë e tyre elektrike me një biçikletë me pedale dhe të merrnin ujë nga një pus 45 metra në thellësi të tokës.

Qëllimi i studimit ka rëndësi të veçantë gjatë pandemisë së koronavirusit, në një kohë kur masat anti COVID-19 kanë mbyllur miliona njerëz në izolim./klan/ KultPlus.com

Të ngjajshme