25 Prill, 2025 - 11:17 pm
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u mbajt tryeza e rrumbullakët me temën “Studimet gjeografike mbi natyrën, shoqërinë dhe vendbanimet tona – pjesë e pandarë e albanologjisë, me qasje në sqarimin dhe argumentimin shkencor të shumë problemeve të saj”.
Kjo veprimtari u organizua nga njësia e përkohshme e kërkimeve gjeografike, pjesë e ASHSH-së, ku morën pjesë profesorë dhe pedagogë të gjeografisë nga disa universitete të vendit.
Akademik Neki Frashëri, kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, në emër të Kryesisë së ASHSH-së, përgëzoi pjesëmarrësit e këtij forumi për kërkimet shkencore, duke konkretizuar edhe nisjen e mbarë të punës së njësisë së përkohshme të kërkimit gjeografik, e cila u zyrtarizua para pak javësh (më 6 mars 2025).
Objekti i diskutimeve të kësaj tavoline synon të drejtojë studimet gjeografike drejt Albanologjisë, me theks sqarimin e argumentimin shkencor në këndvështrimin gjeografik të shumë problemeve dhe tezave të saj.
Në fjalën e tij prof. dr. Perikli Qiriazi theksoi se një nga detyrat dhe synimet e mëdha të studimeve gjeografike komplekse e gjithëpërfshirëse për natyrën, shoqërinë, vendbanimet, trashëgiminë tonë natyrore e kulturore dhe shumë objekte të tjera gjeografike, është integrimi i tyre në fushën e Albanologjisë dhe forcimi i ndërveprimit me disiplinat e tjera. Ky ndërveprim ndihmon në sqarimin dhe argumentimin shkencor të shumë çështjeve dhe problemeve albanologjike.
Në këtë veprimtari shkencore u prezantuan tri studime nga prof. dr. Bilal Draçi, prof. dr. Pal Nikolli dhe prof. asoc. dr. Jostina Dhimitri, të cilat lidhen me studimet gjeografike mbi vendbanimet shqiptare; hartografinë historike në albanologji, si dhe këndvështrimet studimore gjeohistorike, metodologjike e modelet orientuese.
Gjatë prezantimit të punimeve shkencore u demonstruan stereotipat, u sqaruan paradokset dhe u ofruan platforma të reja për të kuptuar sfidat që hasin rajonet tona: nga shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe menaxhimi i rreziqeve mjedisore, deri tek dinamikat demografike dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore të vendbanimeve shqiptare.
Në diskutimin e saj dr. Majlinda Bufi, foli për rëndësinë e aktivitetit dhe theksoi problemet e bashkisë së Roskovecit, zgjidhja e të cilave kërkon bashkëpunim me studiuesit gjeografë. Tërhoqi vëmendjen projekti për kthimin e rezervuarit të madh të Kurjanit në një aset turistik. Për të mos u përballur me probleme natyrore e sociale, ajo theksoi se duhet të kryhet studimi gjeografik./atsh/KultPlus.com