Studioja arkitekturore franceze L’AUC përzgjidhet për zhvillimin e zonës së Cirkut

7 Prill, 2025 - 11:25 pm

Studioja arkitekturore franceze L’AUC u shpall fituesja për vizionin e zhvillimit të zonës qendrore të Tiranës, e njohur për qytetarët si zona e Cirkut.

L’AUC u përzgjodh nga gara ndërkombëtare ndërmjet 6 studiove prestigjioze të arkitekturës, të cilat prezantuan sot projektet, përkatësisht: COBE, Danimarkë; GO HASEGAWA & Assiciates, Japoni; GROUPWORK, Britani e Madhe; NIETO SOBEJANO, Spanjë; ARCHEA Associati, Itali.

“Jam shumë i kënaqur. Për nga hapësira vendi sillte vështirësi, ishte diçka vërtet delikate dhe u përpoqëm të bënim të pamundurën, besojmë se arritëm të bënim të pamundurën, bëmë më të mirën e mundshme. Jemi entuziastë për të vijuar projektin më tej, jemi të kënaqur të ndajmë vizionin tonë edhe me arkitektë të tjerë”, u shpreh një nga përfaqësuesit e studios L’AUC.

“Jam shumë e kënaqur që L’AUC është përzgjedhur, me shumë kënaqësi do ta përdorim imagjinatën tonë për të bërë diçka shumë të mirë për Tiranën dhe vizitorët”, u shpreh një tjetër përfaqësues i studios arkitekturore L’AUC.

Nga juria u vlerësua ideja dhe koncepti i propozuar, duke theksuar disa aspekte të rëndësishme të projektit dhe filozofisë që qëndron pas tij.

“L’AUC, hartoi një skemë që quhej shesh i përbashkët Tirana, kishte një lloj skulpturimi të nënthënë e një lloj ndjesie poetike. Gjithashtu u vërejt që ndjesia dhe pamja moderne e Tiranës është e përfshirë në skena, në shprehi të ndryshme, në ngjyra të ndryshme, në materiale të ndryshme, e po kështu në shkallë të ndryshme, ishte një koncept mjaft elastik, e siç u tha nga arkitektektët nuk është një masterplan apo vepër arkitekturore, por është një vizion që ka shkallë njerëzore, një peizazh mjaft të bukur dhe na pëlqeu po ashtu kati horizontal, që shërben si ndarje në shkallë të caktuar në pjesën e sipërme dhe të poshtme. Pastaj ishin katër kolonat që në fakt u konsiderua si shprehi shumë e fortë nga arkitekti dhe ishte e tillë dhe biem dakord me autorin për këtë propozim se ka një qartësi e forcë ikonike duke pasur këto katër ndërtesa rrethore. E gjitha kishte të bënte me krijimin e një qartësie në të gjithë kontekstin që u vlerësua nga juria. Vlerësuam shumë që arkitektët kishin shpenzuar kohë për të studiuar arkitekturën e mëparshme dhe traditën e historinë shqiptare”, u shpreh një nga anëtarët e jurisë.

Anëtari i jurisë dha disa sugjerime lidhur me projektin e paraqitur duke theksuar nevojën për ta bërë projektin më realist dhe të mundshëm për t’u realizuar në mënyrë efikase.

“Disa gjëra që duhen konsideruar, pozicioni i Teatrit, ne e kuptojmë tërësisht që ato gjëra që ju vendosni në anën tjetër janë bërë për të tërhequr njerëzit që të vijnë në këtë zonë, në mendojmë se pavarësisht strategjisë suaj do të gjeni mënyrën e duhur për ta ndërruar këtë situatë. Ky është një masterplan dhe për këtë arsye ju bëjmë thirrje që të punoni me arkitektë të tjerë në këtë vizion që na keni shpalosur sot. Siç u tha dhe nga anëtarët e jurisë thamë që është master plan dhe jo vepër arti në vetvete, një vizion për të gjithë hapësirën dhe ju, L’AUC, do të jeni ata që do të udhëhiqni punën që do të bëhet”, u shpreh anëtari i jurisë./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme