27 Mars, 2025 - 2:06 pm
Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave, mikpret për tri ditë rresht (26-28 mars) grupin qendror të punës të projektit “Slow Memory”, një projekt i rrjetit europian të kërkuesve Cost Action CA20105.
Ky projekt vë në qendër nevojën e rritjes ndërdisiplinore në të kuptuarin sesi shoqëritë përballen me të shkuarën e tyre, ndërsa përballen edhe me ndryshimet ekonomike e shoqërore që vijnë nga ngjarje të papritura dhe shndërrime të paimagjinueshme.
Frymëzuar nga koncepti i “shkencës së ngadaltë” (Slow Memory), pjesëmarrësit janë në kërkim të një alternative të kujtesës për të zhvilluar teori dhe metodologji që trajtojnë kujtesën e ngadaltë përmes bisedave ndërdisiplinore dhe angazhimit me aktorët e interesit.
Dr. Anxhela Çikopano, organizatore e takimit të Tiranës, vuri në dukje se praktikat transformuese të kujtesës si objekt studimi dhe si ndërhyrje kritike, ndahen midis arteve dhe shkencave, me qëllim që të zbulohen mënyrat sesi njerëzit përballen me proceset e ndryshimeve në shkallë të gjerë.
Më tej, ajo theksoi se projekti përqendrohet në mënyrë unike në vëmendjen e studiuesve, politikëbërësve dhe profesionistëve kulturorë te rrugët alternative për të ndërtuar qëndrueshmëri përballë kulturës së shpejtë bashkëkohore.
Në takimin i ekipit drejtues foli drejtuesja e projektit dr. Jenny Wustenbeg. Gjatë tri ditëve grupi do të organizojë një sërë vizitash në institucionet e kujtesës në Tiranë dhe do të njihet me historinë e artit shqiptar.
Të pranishmit në këtë veprimtari janë nga Shqipëria dhe vende të tjera të botës si Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kroacia, Serbia, Danimarka etj./ KultPlus.com