26 Mars, 2025 - 4:15 pm
Njësia kërkimore e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierive organizoi, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, konferencën shkencore “Ndryshimet klimatike dhe uji: mbyllja e hendekut të paralajmërimit të hershëm së bashku”.
Në këtë veprimtari u përfshinë 72 studiues dhe 22 institucione kërkimore universitare, administrative dhe biznesi nga Shqipëria e Kosova. Konferenca pati si synim përmirësimin mbi paralajmërimet e hershme dhe menaxhimin e rreziqeve natyrore.
Akadademiku Rrapo Ormëni vuri në dukje se kjo veprimtari zhvillohet në kuadër të 75-vjetorit të hyrjes në fuqi të konventës së themelimit dhe krijimit të Organizatës Botërore të Meteorologjisë (OBM).
“Parandalimi dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike duhet të shoqërohen me investime të qëndrueshme, monitorim të vazhdueshëm dhe një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve, Akademisë së Shkencave dhe aktorëve të tjerë. Roli i kërkimit shkencor është thelbësor në këtë proces, duke ndihmuar në hartimin e politikave të bazuara në të dhëna dhe forcimin e vendimmarrjes”, u tha gjatë konferencës.
Në hapjen e kësaj konference u mbajtën edhe dy referate kryesore nga prof. dr. Petrit Zorba (Instituti i Gjeoshkencave, UPT) dhe Besim Aliu (Instituti Hidrometrologjik i Kosovës), përmes të cilave të pranishmit u njohën me përqasje të reja të të dhënave, ku krijohen lidhje mes politikës dhe klimës, me ndryshimet klimatike dhe diversifikimin e energjisë në Shqipëri, sfidat dhe mundësitë për një zhvillim të qëndrueshëm dhe nevojën për zhvillimin dhe përmirësimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm në Republikën e Kosovës. / KultPlus.com