Suksesi i filmit ‘Zgjoi’ e detyron Blerta Bashollin të tërhiqet nga pozita e Drejtores së Kulturës në Komunën e Prishtinës

4 Mars, 2021 - 4:33 pm

Ditën e djeshme u bë e ditur se Adrian Berisha u emërua drejtor i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, post ky i cili deri dje ka qenë nën udhëheqjen e regjisores Blerta Basholli, shkruan KultPlus.

Ndërkaq, sot përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Basholli ka falenderuar të gjithë ata që ishin pjesë e rrugëtimit të saj dy vjeçar në Komunën e Prishtinës, ku ndër të tjera ka theksuar së për shkak të angazhimeve me filmin ‘Zgjoi’ ka kërkuar që të lirohet nga pozita e Drejtoreshës së Kulturës.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Bashollit.

Të dashtun,

Për shkak të angazhimeve që më kanë dalë si rezultat i suksesit të filmit Zgjoi në Sundance Film Festival, kam kërkuar nga Kryetari Ahmeti të më lirojë nga pozita e Drejtores për Kulturë . Kryetari si bashkëpunues i pashoq, si njohës i mirë i filmit, si gjithmonë, më ka mbështetur dhe e ka kuptuar këtë kërkesë timen, për çfarë e falenderoj pafundësisht.

Për mua ka qenë kënaqësi dhe nder të bashkëpunoj me Kryetarin Shpend Ahmeti dhe kabinetin e tij, me shumë kënaqësi e kam pranuar detyrën kur më është ofruar dhe jam munduar maksimalisht të jap kontributin tim për periudhën sa kam qenë aty.

Dy vite rrugëtim me shumë ngritje e ulje, mund të them që ka qenë një prej rrugëtimeve më interesante dhe intensive të jetës time.

Kam mësuar shumë, kam njohur njerëz shumë të mirë brenda dhe jashtë komunës, të cilët nuk do t’i harroj kurrë.

Shumë projekte janë vazhduar e shumë të tjera janë inicuar e përfunduar, të tjerat me padurim i pres të përfundojnë edhe pas largimit tim.

Më vjen mirë që detyrën e përfundova me një projekt të veçantë dhe që pata fatin të bashkëpunoj me artistët si Florent Boshnjaku dhe Armend Rexhepagiqi, të cilët ideuan dhe realizuan një nga projektet më të bukura të Drejtorisë së Kulturës, e që na e dhanë një ndjenjë të vecantë të gjithëve. Me vjen mirë që patëm mundësinë të mbështesim këtë projekt e edhe shumë projekte tjera të bukura përgjatë mandatit tim.

Falenderim i veçantë për drejtorin e tanishëm, Adrian Berishën, të cilit i uroj shumë sukses, i cili ka qenë bashkëpunëtor i afërt i drejtorisë së kulturës dhe shtytës i shumë projekteve.

Falenderoj zyrtaret e kulturës: Lindita Hajdari, Arjona Caraku, Lindita Cervadiku, Dafina Krasniqi, Yllka Syla, Teuta Hoxha Jahaj, Drejtorin Visar Krusha, Drejtorin Munish Hyseni, Drejtorin Abaz Makolli, Drejtoren Drita Rudi, pa të cilat dhe të cilët shumë projekte do të ishin të pamundur për tu realizuar.
Faleminderit Mimoza Sylejmani, Labinot Salihu, Ardiana Gjinolli, Florim Krasniqi e shumë e shumë te tjerë!!!

Falenderoj të gjithë Drejtoret dhe Drejtorët e Drejtorive, zyrtaret dhe zyrtarët e drejtorive të tjera, zyren e rigjenerimit urban ne vecanti dhe gjithë bashkëpunorët e jashtëm e bashkëfinancuesit që na kanë ndihmuar shumë gjatë kësaj periudhe.

Me Respekt për të gjithë ju që pata rastin me ju njoftë e me punu bashkë,
Blerta Basholli
‘ / KultPlus.com

Të ngjajshme