Sulltan Novruzi, dita e fisnikërisë bektashiane festime dhe lutje në shtëpi

22 Mars, 2020 - 11:58 am

Besimtarët bektashianë kremtojnë sot Ditën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu.

Por, ndryshe nga vitet e tjera kur besimtarët mblidheshin në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane për të festuar, këtë vit Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Mondi u ka bërë apel besimtarëve që festën e Sulltan Novruzit ta kalojnë në shtëpitë e tyre duke respektuar të gjitha ligjet.

Pas përhapjes së Covid 19 Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve mori vendim që në të gjitha mjediset të pezullohet çdo lloj veprimtarie fetare, e cila konsiston në bashkimin apo afrimin fizik të besimtarëve dhe që bie ndesh me vendimet e qeverisë shqiptare lidhur me këtë rast.

Festa e Sulltan Novruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Alit në Qabe. Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Në Shqipëri Dita e Sulltan Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Në vendin tonë sekti i bektashinjve, është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.

Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai u krijua në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri, Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj.

Sipas burimeve historike, Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman, si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën.

Gjatë Rilindjes Kombëtare bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit.

Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjes bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur. Në vitin 1924 selia Botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. I detyruar nga regjimi komunist, bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare, e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta rifilluar përsëri gjatë vitit ’91.

Ritet e festës së Sulltan Novruzit

Për nder të kësaj dite, amvisat bëjnë një byrek të veçantë për këtë ditë, pasi në harxhë futen 12 gjethe lakrash të llojeve të ndryshme dhe një monedhë metalike.

Në darkë për pjesëtarët e familjes nxirret përpara byreku, që ndahet në aq pjesë sa anëtarë janë. Zonja e shtëpisë përpara se të nisë zgjedhjen e pjesëve, lutet për fatet e pjesëtarëve të familjes dhe më pas, secili zgjedh pjesën e vet. Ai që gjen monedhën ( leku), duhet patjetër që të blejë për shtëpinë një kilogram kripë, pasi parashikon një vit të mbarë.

Ndërsa mbaron ky rit, familjet bektashiane në shenjë respekti e shpërndajnë një pjesë të byrekut nëpër familje kristiane. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme