Suspendohet gjyqtarja që dënoi me 8 muaj e 8 ditë burgim dhunuesin e 15-vjeçares

8 Nëntor, 2021 - 1:29 pm

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar gjyqtaren Florije Zatriqi e cila e kishte dënuar me 8 muaj e 8 ditë dhunuesin e një të miture.

Në njoftimin e KGjK-së bëhet e ditur se ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme.

“Është themeluar paneli hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/10/2021/GJTHPE-AD/GJTHPE/15/21 dhe është vendosur për suspendimin e gjyqtares F.Z deri në një vendim tjetër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjykata Themelore e Pejës kishte vlerësuar rrethanat lehtësuese për personin me inicialet P.K., para se ta dënonte me 8 muaj e 8 ditë burgim për dhunimin e një 15-vjeçareje në një shtëpi të pabanuar në Gjakovë, bashkë me dy shokët e tij të mitur. Si rrethana lehtësuese gjykata ka vlerësuar se P.K., ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur keqardhje për veprën që ka kryer, faktin se tani ka një lidhje jashtëmartesore dhe një vajzë 4 muajshe si dhe nga kryerja e veprës penale kanë kaluar gati 10 vite. Janë marrë për bazë edhe lehtësime të tjera, të cilat konsiderohen skandaloze.

Rrethanë lehtësuese për 31-vjeçarin, i cili në vitin 2012 ishte 21-vjeç kur kishte kreyer veprën, është marrë edhe shoqërimi i tij me dy të mitur që sipas gjykatës, flasin për ‘pjekurinë e tij psikike’. Si dhe deklarata e të miturës në polici e prokurori se me rastin e marrëdhënies seksuale nuk kishte pasur lëndime. Ndërsa, rrethana rënduese gjykata nuk gjeti.

Para tre muajsh Gazeta Express kishte raportuar për rastin e dhunimit të një 15-vjeçareje në një shtëpi të pabanuar në Gjakovë, dhunuesi i saj me inicialet P.K., u dënua me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim nga Gjykata Themelore e Pejës.

Në natën kritike, e mitura ishte dhunuar nga 21-vjeçari i dënuar dhe nga dy të mitur. Rasti kishte ndodhur në janar të vitit 2012.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë (tani Gjykata Themelore në Pejë, në qershor të vitit 2012), të cilin e posedon Gazeta Express, i akuzuari P.K., ishte dënuar me burgim prej një viti, gjithashtu edhe dy të miturve i ishte shqiptuar burgim për të mitur në kohëzgjatje prej një viti.

Por, Gjykata e Apelit, në vitin 2014 e kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit P.K., dhe të atij F.H., duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Pejë dhe rasti i ishte kthyer gjykatës për rivendosje.

Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti për të Mitur, ka shpallur fajtor P.K., tani 31 vjeçar, në atë kohë 21-vjeç për kryerjen e veprës penale “Dhunimi”. Ai është dënuar me burg në kohëzgjatje prej 8 muaj e 8 ditë, duke llogaritur kohën sa ka qëndruar në paraburgim.

Prokuroria Themelore në Pejë, ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurores Lirije Morina, e cila ka përfaqësuar lëndën e dhunimit të 15-vjeçares./KultPlus.com

Të ngjajshme